Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu ka prezantuar projektet e reja për rini dhe sport.
Ai ka thënë se rinia dhe sporti do të vazhdojnë të jenë në fokus të programit të tij qeverisës.
“Rinia dhe sporti do të vazhdojnë të jenë në fokus të programit tonë qeverisës. Prandaj gjatë mandatit të dytë do të ndërtojmë fushën e hapur sportive në SHFMU “Edmond Hoxha” në Junik. Në këtë projekt do të investojmë rreth 130,000.00 euro. Prandaj kjo fushë sportive do të ndërtohet në përputhje me standardet moderne dhe profesionale”, ka thënë Shehu.
“Po ashtu, në lagjen Berishë do të ndërtojmë edhe një fushë tjetër të hapur sportive si dhe këndin e lodrave për fëmijë. Vlera e këtij projekti do të jetë rreth 60,000.00 euro. Prandaj kjo hapësirë do të jetë vendtakimi më i dashur për të rinjtë dhe fëmijët tonë”, ka thënë ai.
“Të rinjtë janë prioriteti ynë, jo vetëm me fjalë boshe sikurse të tjerët, por me projekte konkrete, me ndershmëri dhe me duar të pastërta”, ka thënë Shehu.
“Prandaj me 12 tetor do të festojmë së bashku me të rinjtë, për fitoren tonë të madhe pa balotazh, për të ardhmen e Junikut dhe për të mirën e përgjithshme. Vazhdojmë +4 pa balotazh”, ka thënë ai.
