Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Ferizajit, Visar Azemi ka shpërndarë një mesazh frymëzues për qytetarët, duke theksuar se rrugëtimin e tij politik e ka nisur pranë njerëzve dhe problemeve reale të qytetit.
Ai tha se gjatë takimeve në çdo cep të Ferizajit, ka parë se sa shumë dashuri e potencial ka ky qytet.
“Kur e nisa këtë rrugëtim, e nisa me njerëzit. Duke dëgjuar, duke parë nga afër çdo problem e çdo mundësi që ka ky qytet. Nga pazari te lagjet, nga fshatrat te sheshi, e pashë edhe një herë sa zemër të madhe ka Ferizaji dhe sa shumë mund të arrijmë bashkë kur ka drejtim të duhur”, ka shkruar Azemi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për “ndryshimin që e bën Ferizajin qytet të jetueshëm për të gjithë”.
