Shkruan: Eshref Shabani
Nga përfundimi i luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, pas 78 ditësh bombardimesh të NATO-s kundër Jugosllavisë së atëhershme, ushtria çetnike e saj kapitulloi dhe, në mënyrë të turpshme, u largua nga Kosova. Çlirimi solli eufori të lartë te populli shqiptar dhe te njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, siç është e njohur botërisht, është krijuar nga Lëvizja për Çlirimin e Kosovës dhe nga vullneti i vajzave dhe djemve që nuk iu nënshtruan robërisë çetnike serbe. Dihet se deri në fund të luftës pak njerëz kanë qenë të kyçur në UÇK, për shumë arsye: qoftë si pasojë e politikës paqësore, qoftë nga frika. Pas luftës, megjithatë, u pa se një pjesë e madhe e popullsisë kishte pasur lidhje shumë të ngushta me popullin serb dhe sundimin e tyre.
Serbia çetnike asnjëherë nuk ka ndalur përpjekjet për ta diskredituar luftën e UÇK-së dhe, përmes luftës speciale, ka arritur gradualisht ta krijojë narracionin e saj te një shumicë solide e popullit shqiptar: te dikush nga mosdija, te dikush nga dezinformatat, por te shumëkush nga urrejtja ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Se kjo luftë speciale e Serbisë çetnike kundër UÇK-së ka triumfuar te një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare është e pamohueshme. Çdo e keqe që ka ndodhur në Kosovë pas vitit 1999 iu është veshur komandantëve të luftës. Në këtë drejtim, Serbia ka përgatitur terrenin te shumë njerëz në Kosovë dhe ka financuar burime të shumta, derisa, përmes shërbimeve ruse, ka arritur ta “blejë” senatorin zviceran Dick Marty për të hartuar raportin sipas të cilit kinse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer trafikim të organeve njerëzore.
Përmes këtij raporti, me akuza monstruoze kinse të kryera nga UÇK-ja, Këshilli i Evropës e ka miratuar raportin dhe ka kërkuar krijimin e një Gjykate Speciale, kinse të Kosovës, për hetimin dhe gjykimin e këtyre akuzave.
Në opinionin kosovar, si në kohën kur është diskutuar krijimi i Gjykatës Speciale ashtu edhe sot, ka pasur dhe ka ndarje se a është dashur të krijohet kjo gjykatë nga institucionet tona. Unë i përkas pjesës që mendon se kjo gjykatë është dashur të themelohet, sepse akuza për trafikim të qenieve njerëzore do t’i kishte mbetur Kosovës si një njollë e zezë përherë mbi kokë.
Ajo me të cilën nuk jam pajtuar asnjëherë, as në kohën e krijimit të Gjykatës Speciale, është fakti që Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, ka aprovuar ligjet e Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale me këtë përmbajtje. Nuk është dashur që në këtë mënyrë të bëhet bartja e sovranitetit, pa asnjë lloj kontrolli, te Gjykata Speciale. Nëse partnerët tanë ndërkombëtarë nuk do ta kishin pranuar një model tjetër, atëherë kjo gjykatë nuk është dashur të themelohet nga institucionet e Kosovës, por nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Të paktën atëherë do të dihej qartë se është plotësisht jashtë kontrollit dhe nuk do të quhej Gjykatë Speciale e Kosovës.
Hetimi disa vjeçar i Prokurorisë Speciale nuk ka sjellë asnjë zbulim të ri lidhur me krimet e pretenduara, përveç raporteve, shkresave dhe thashethemeve që kanë qarkulluar në Kosovën e pasluftës që nga viti 1999. Madje, sa herë që ka pasur zgjedhje në Kosovë, nëpër kafene është folur për ndonjë “vrasje të luftës”, sikur të flitej për “dardha kakiqe”. Shpesh është supozuar se filan politikani po e shantazhon filan politikanin për filan vrasje.
Prokuroria Speciale ka bërë një zbulim të vetëm thelbësor: UÇK-ja nuk ka trafikuar organe njerëzore. Pikërisht për këtë qëllim është themeluar kjo gjykatë dhe kjo prokurori, dhe kjo është e përcaktuar taksativisht në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, në keqpërdorim të pushtetit të dhënë, Prokuroria Speciale ka dalë jashtë mandatit për të cilin është themeluar.
Janë thirrur dëshmitarë absurdë, si ai nga Kaçaniku që në prokurori ka deklaruar: “Unë jam veshur mirë dhe këta më kanë pasur inat, prandaj m’i kanë vjedhur lopët”, apo dëshmitari tjetër që ka deklaruar: “Ma morën një mzatë, e prenë mishin e mirë e hëngrën vetë, ndërsa mua m’i dhanë koqet me i ngrënë si dënim, sepse pranova se u jepja ushtarëve serbë viça për të ngrënë, meqë ata më linin të pres malin”.
Janë dëgjuar dëshmi që nuk kanë asnjë lidhje serioze me një gjykatë, e aq më pak me një gjykatë që vetëm emrin e ka të Kosovës, sepse asgjë tjetër nuk e lidh me Kosovën.
Në këtë gjykatë kanë dëshmuar rreth 300 shqiptarë dhe shumë më pak serbë. Kjo shifër tregon pa asnjë dyshim se Serbia çetnike e ka fituar luftën speciale kundër UÇK-së brenda shoqërisë shqiptare. Nuk ka shpjegim tjetër. Uroj të mos jetë fjala për një numër kaq të madh proserbësh brenda popullit shqiptar të Kosovës, megjithëse, nga zhvillimet aktuale, personalisht dyshoj se ka shumë jugonostalgjikë.
Kjo shihet çdo ditë nëpër portale të ndryshme, për të cilat nuk dihet kush i financon, si p.sh. një farë Vudi Xhemshiti. Shpifjeve të ulëta të tij u bën “like” e veja e Jusuf Gërvallës, ndërsa e bija e Jusuf Gërvallës deklaron publikisht se ka dërguar dosje kundër ish-krerëve të UÇK-së në këtë gjykatë. E njëjta mban pozitën e zëvendëskryeministres dhe Ministre e Drejtësisë e Republikës së Kosovës. Zoti mos e bëftë që Serbia çetnike të ketë arritur deri në kupolën e Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë e të gjitha këtyre zhvillimeve, deklarimeve dhe bisedave lidhur me të bëmat e UÇK-së, mendja kritike të çon në përfundimin se Serbia çetnike, përmes luftës speciale, duke shfrytëzuar jugonostalgjikë të shumtë në Kosovë, me ndihmën e shërbimeve ruse dhe me derdhje të mëdha parash, ka arritur ta mbjellë narracionin se UÇK-ja ka kryer krime ndaj popullatës civile shqiptare. Dëshmia e rreth 300 shqiptarëve në këtë gjykatë është treguesi më i qartë i këtij përfundimi.
Sa i përket UÇK-së (me përjashtim të librave që i kanë shkruar baci Kup tu pi çaj dhe Bardh Hamza i ndjeri, ajo ka qenë një ushtri vullnetare e krijuar nga vajzat dhe djemtë më të mirë të shqiptarëve. Këtë e vërteton sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Ishte një ushtri popullore, e cila në letër kishte strukturë të mirëfilltë hierarkike, por në realitet nuk kishte komandë dhe kontroll të plotë. Kontrolli, në kuptimin ushtarak, nënkupton mbikëqyrjen e zbatimit të komandës, gjë që UÇK-ja nuk e kishte.
Unë personalisht nuk e përjashtoj asnjëherë mundësinë që gjatë luftës të kenë ndodhur veprime të ndaluara me ligje dhe konventa ndërkombëtare. Por, meqenëse UÇK-ja nuk kishte komandë dhe kontroll të mirëfilltë, do të duhej të ndiqeshin individë të caktuar. Shumë individë shqiptar në Kosovë, pas vitit 1999, janë dënuar dhe kanë vuajtur dënime të gjata me burg për veprimet e tyre.
Gjykata Speciale, nga ajo që kam pasur mundësi ta përcjell përmes seancave dhe njoftimeve për shtyp, është një gjykatë fashiste në kuptimin e plotë të fjalës. Gjykata e Nurembergut, e cila ka dënuar oficerët nazistë, ka shpallur edhe disa prej tyre të pafajshëm, ndërsa Gjykata Speciale ka dënuar secilin ndaj të cilit ka ngritur aktakuzë.
Kjo gjykatë nuk respekton as Kushtetutën e Kosovës, as ligjet e Kosovës, e as Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kohëzgjatja e paraburgimit, me arsyetimin se në vitin 2026 Hashim Thaçi ose Rexhep Selimi mund ta kryejnë të njëjtën vepër penale, është absurde. Për ta kryer një vepër të vitit 1998/99, Serbia çetnike do të duhej të kthehej në Kosovë dhe UÇK-ja të dilte sërish në mal.
Prandaj, edhe aktgjykimet e mëparshme të kësaj gjykate nuk kanë arritur t’i largojnë të gjitha dyshimet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Përkundrazi, janë dhënë arsyetime të çuditshme, të cilat nuk aplikohen në gjykatat e Kosovës ndaj çetnikëve serbë që po gjykohen për krime lufte.
Gjykata Speciale ka lejuar prokurorin të thërrasë dëshmitarë politikë, hajgarexhinj, njerëz që kanë tentuar të përfitojnë letra se kinse i ka vrarë UÇK-ja, njerëz që tërë kohën kanë qenë me “mbretin e Serbisë”, dëshmitarë jokredibilë, të cilët nuk kanë arritur t’i ndërlidhin ngjarjet në mënyrë që të evitohet çdo dyshim i arsyeshëm.
Gjykata ka pranuar çdo kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe ka hedhur poshtë çdo kërkesë të mbrojtjes. Kjo, sipas tyre, qenka drejtësi.
Gjykata Speciale ka gjetur terren të përgatitur në Kosovë kundër UÇK-së, sepse ne i kemi lënë jetim ata burra në Hagë. Serbia çetnike ka arritur ta fitojë luftën speciale. Mjafton që shqiptarët e Kosovës të lexojnë se si Republika e Kroacisë e ka mbrojtur gjeneralin Gotovina dhe sa dëshmitarë kroatë kanë dëshmuar kundër tij.
Personalisht NUK pres drejtësi nga kjo gjykatë, sepse është gjykatë fashiste dhe, njëkohësisht, ka gjetur terren të përshtatshëm te shumica e popullit shqiptar, që ka një dëshirë të pashpjegueshme për ta dënuar Hashim Thaçin. Uroj të jem gabim.
Lavdi për jetë dhe mot Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
