Për 1.3 milionë euro, oligarku Gjonaj bleu 50% të aksioneve të kompanisë “Top Fruits Sh.P.K.” nga Burim Ahmeti, kushëriri i deputetit Ejup Ahmeti.
Nuk ka më asnjë dilemë.
Një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka lidhje të drejtpërdrejta me oligarkun nga Shqipëria që ka “pushtuar” tregun kosovar të energjisë dhe po gjeneron fitime marramendëse nga tregtia me rrymë.
Paparaci ka siguruar dokumente ekskluzive që dëshmojnë se deputeti Ejup Ahmeti është ortak biznesi me Marin Gjonajn, njeriun që qëndron prapa “ETMT ENERGY SH.P.K.”, kompanisë që ka realizuar qarkullim marramendës financiar në 13 muajt e fundit.
Në mesin e dëshmive që ka siguruar Paparaci është edhe një transaksion milionësh i realizuar mes oligarkut Gjonaj dhe kompanisë së deputetit Ahmeti me emrin “Top Fruits Sh.P.K.” (ish “Doni Fruits”).
Transaksioni në fjalë është kryer në fund të vitit 2023, tregojnë dokumentet.
Për 1.3 milionë euro, oligarku Gjonaj bleu 50% të aksioneve të kompanisë “Top Fruits Sh.P.K.” nga Burim Ahmeti, djali i xhaxhait të deputetit Ejup Ahmeti.
Tranaksioni është njohur zyrtarisht nga shteti shqiptar më 23 dhjetor të vitit 2023, sipas dokumenteve që ka siguruar Paparaci. Në dokument vërtetohet transferimi i kuotës së 50 për qind të aksioneve nga kushëriri i deputetit Ahmeti te oligarku Gjonaj.
“Arsyet e hapjes së çështjes: Depozitimi i kontratës së shitjes me datë 18.12.2023 dhe dokumentacionit shoqërues, të cilat vërtetojnë transferimin e 50% të kuotave të shoqërisë ‘Doni Fruits’ nga ortaku Burim Ahmeti tek Gjonaj Group Holdings shpk”, thuhet në marrëveshjen e dorëzuar pranë QKB-së, të cilën e posedon Paparaci.
“Kanë ndodhur ndryshimet e mëposhtme tek ortakët individë: Është larguar ortaku Burim Ahmeti, është shtuar ortaku Gjonaj Group Holdings”, thuhet në dokument.

Fiks një vit para se ortaku i tij të zgjidhej deputet në Kuvendin e Kosovës, oligarku shqiptar Marin Gjonaj kreu një nga hyrjet më të fuqishme në treg ndonjëherë.
Nga shkurti i vitit të kaluar deri në shkurtin e këtij viti, kompania “ETMT ENERGY SH.P.K.” gjeneroi fitime marramendëse një periudhë prej më pak se një viti e gjysmë në tregun e rrymës.
Vetëm në 13 muajt e fundit, në xhirollogaritë e kompanisë kanë rrjedhur rreth 27 milionë euro. E themeluar në këtë dekadë dhe me vetëm një punëtor të regjistruar zyrtarisht, “ETMT ENERGY SH.P.K.” është shndërruar në një nga aktorët kryesorë në tregun e tregtimit me rrymë.
Sipas një raporti zyrtar të institucioneve të cilin e publikoi VOX Kosova, kompania “ETMT Energy Sh.P.K” është zgjeruar shpejt nga një biznes që realizonte qarkullim prej 90 eurove në muaj në janar të vitit 2025, në një biznes që kryen qarkullim prej 16 milionësh në janarin e vitit pasues.
Vetëm në janarin e këtij viti, kompania rezulton se ka qarkulluar 16,179,851.33 euro në total. Në muajin pasues, ajo ka bërë një xhiro financiare prej 8,407,160.24 eurove, tregojnë dokumentet e publikuara nga VOX Kosova.
Sipas të dhënave publike në Shqipëri, ETMT ENERGY SH.P.K. është në pronësi të Ener Trade SHPK, një kompani me seli në Tiranë të Shqipërisë.
Pas kësaj strukture pronësore qëndrojnë emrat e dy biznesmenëve.
Të dhënat tregojnë se Ener Trade, që kontrollon ETMT-në, është në pronësi prej 50 për qind nga oligarku Gjonaj. Pjesën tjetër të aksioneve i zotëron Artur Mickaj, ish-drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit (ShKP) dhe ish-kryetar i Forumit Rinor të Partisë Socialiste në Shqipëri, i cili ka lënë pas karrierën e tij në institucionet publike për t’u angazhuar në biznes.
Ndonëse i panjohur më parë në Kosovë, emri i Marin Gjonajt është prej disa vitesh prezent në botën e biznesit dhe politikës në Shqipëri.
Në vitin 2023, kompania e tij “Ener Trade”, kishte deklaruar një xhiro prej 42.7 miliardë lekësh (përkthyer në euro: 427 milionë), me një rritje marramendëse prej 145 për qind brenda një viti. Në kulmin e suksesit, sipas të dhënave publike në Shqipëri, kompania e tij kishte deri në 30 punonjës të regjistruar.
Dyshime për keqpërdorimin e fondeve të shtetit
Në vitin 2021, kompania “Doni Fruits Sh.P.K”, me pronar tashmë deputetin Ahmeti, kishte përfituar një grant prej 395 mijë eurosh nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.
Një pjesë e fondeve, në vlerë rreth 98 mijë euro, ishte transferuar si avans nga buxheti i shtetit, me pretendimin se investimet e parapara ishin realizuar.
Megjithatë, pas një inspektimi zyrtar, ishte konstatuar se projektet e deklaruara nuk ishin përmbushur në terren, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. Si rezultat, agjencia kishte kërkuar kthimin e mjeteve dhe më vonë e kishte përjashtuar kompaninë nga çdo skemë mbështetëse për tri vite.
Në anën tjetër, kompania nuk i kishte kthyer fondet e kërkuara.
Në Shqipëri, mediat kanë raportuar këtë vit se kompania në pronësi të Ahmetit dhe oligarkut Gjonaj, kishte keqpërdorur rreth 1.2 milionë euro grante të Bashkimit Evropian për sektorin e bujqësisë.
Për këtë keqpërdorim të dyshuar, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë në Shqipëri e ka paditur kompaninë.
Sipas padisë, kompania duhet t’ia kthejë 1.5 milionë euro grante të përfituara në emër të ndërtimit të një pike grumbullimi në Lushnje, për shkak të abuzimit me fondet publike dhe evropiane të përfituara. /Paparaci.com

