Deri në katër milionë euro përllogaritet kostoja e disa veprimeve të papërgjegjshme të ndërmarra nga Ibër-Lepenci, e kontrolluar nga Faruk Mujka i Vetëvendosjes. Dëmi u shkaktua si pasojë e devijimeve të krijuara në rrjetin energjetik në dy muaj gjatë vitit 2023, tregon një raport i organit rregullator të energjisë (ZRrE). Barra iu faturua konsumatorëve.
Eros Klaiqi
Ishte fundi i vitit 2023. Afër një vit pasi kontrollin mbi Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër Lepenc” e kishte marrë Faruk Mujka, një funksionar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Mujka, i cili tash e katër vjet ndodhet në krye të ndërmarrjes, ishte dërguar aty për menaxhimin e Liqenit të Ujmanit, një prej burimeve kryesore ujore dhe energjetike të vendit.
Kishte ndodhur krejt e kundërta.
Ndërmarrja, nën drejtimin e Mujkës, kreu një nga “krimet” më të mëdha që mund të kryhen ndaj rrjetit elektro-energjetik të vendit.
Një raport i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) të cilin e ka siguruar Paparaci, dëshmon se gjatë pushtetit të Mujkës, ndërmarrja “Ibër-Lepenc” shkaktoi devijime jashtëzakonisht të larta në rrjet në muajt nëntor dhe dhjetorit të vitit 2023.

Devijimet në rrjetin elektro-energjetik ndodhin si pasojë e dallimeve mes energjisë së parashikuar dhe asaj të prodhuar nga operatorët e energjisë elektrike. Praktikisht, për shkak të nominimeve gabim të energjisë në rrjet.
Sikurse operatorët e tjerë të energjisë, përfshirë KEDS dhe KEK, edhe ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenc” e nominon energjinë bazuar në konsum një ditë më herët në operatorin që menaxhon rrjetin, KOSTT.
Nëse parashikimi është më i madh osë më i vogël se konsumi shkaktohen devijime në rrjet.
Vetëm në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2023, Ibër-Lepenci shkaktoi mbi 23,000 MWh (megavatë-orë) devijime në rrjetin energjetik, tregon një raport i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), i mandatuar për mbikëqyrjen e sektorit.
Devijimet u shkaktuan si pasojë e prodhimit të energjisë gjatë kësaj periudhë dy-mujore nga hidrocentrali i Liqenit të Ujmanit dhe mos deklarimit të prodhimit pranë KOSTT-it, organit përgjegjës për balancimin e energjisë në rrjet.
Në nëntor, devijimet e shkaktuara nga Ibër-Lepenci arritën në 6,935 megavat-orë (MWh), sipas raportit të Zyra e Rregullatorit për Energji. Në përqindje, kjo nënkupton një jobalancë prej 314 për qind mbi nominimet e deklaruara.
Në dhjetor, devijimet u ngritën në 16,712.24 megavatë-orë apo 836% mbi nominimet e deklaruara.

“Sipas raportit të jobalanceve të dërguar nga KOSTT, vlerat e jobalancit pozitiv të NH Ibër Lepenc SH.A. për muajin nëntor 2023 kanë qenë 6,935 MWh apo 314% ndaj nominimeve, kurse për muajin dhjetor 2023 kanë qenë 16,712.24 MWh apo 836% ndaj nominimeve”, tregon raporti që është titulluar si “Raport i Monitorimit në Lidhje me Referim të Çështjes në ZRRE nga ana e KOSTT për Jobalancet e NH Ibër Lepenc”.
Raporti me shkeljet e rënda i ishte dërguar kryeshefit Faruk Mujka nga kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, më 13 maj 2024.
Raporti e rëndon Ibër-Lepencin edhe për vënien në rrezik serioz të rrjetit interkonektiv evropian (ENTSO), në të cilin Kosova është anëtarësuar në vitin 2020 kur është pavarësuar plotësisht nga Serbia në sektorin energjetik.
Sipas raportit, “mospërputhjet e vazhdueshme mes nominimeve dhe realizimit të palës përgjegjëse për balancë nuk janë të lejuara” dhe se operatorët janë të obliguar me Ligj që të mos kryejnë devijime në rrjet.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi, rregullat e tregut dhe kodin e balancit, mospërputhjet e vazhdueshme mes nominimeve dhe realizimit të palës përgjegjëse për balancë nuk janë të lejuara dhe nga Palët Tregtare kërkohet që të ndihmojnë OST në kryerjen e obligimeve ndaj ENTSO-E për minimizimin e Devijimeve të Paqëllimshme.”
“Për më tepër, sipas nenit 11.1.9 të Rregullave të Tregut, Palët Tregtare janë përgjegjëse dhe duhet të sigurojnë që injektimi dhe konsumi momental të jetë sa më afër vlerës që është nominuar tek OT nga ana e tyre”, alarmon ZRrE në raport.
Dëmi deri në 4 milionë euro
Devijimet e detyrojnë KOSTT-in që të ndërhyjë për balancim të rrjetit duke blerë, shitur energji në kohë reale ose përmes aktivizimit të rezervave.
Këto operacione të operatorit të transmisionit (KOSTT) bartin gjithmonë kosto financiare. Sidomos gjatë sezonës së dimrit, kur kërkesa në treg është më e madhe.
Raporti i ZRrE-së nuk jep asnjë vlerësim për koston financiare që shkaktuan devijimet nga Ibër-Lepenci.
Por duke u bazuar në çmimet mesatare të tregjeve rajonale të energjisë, kostoja e këtyre devijimeve mund të llogaritet në disa nivele. Në një skenar minimal, me rreth 80 euro për MWh, kostoja totale do të ishte afërsisht 1.9 milion euro.
Në një skenar më realist të tregut të balancimit, ku çmimet lëvizin nga 120 deri në 150 euro për MWh, shuma mund të arrijë nga 2.8 deri në 3.5 milion euro.
Në kushte më ekstreme dimërore, kur çmimet rriten ndjeshëm për shkak të kërkesës së lartë, kjo kosto mund të shkojë deri në rreth 4.7 milion euro.
Milionat bien në kurriz të konsumatorëve
Në fund, faturën më të shtrenjtë për devijimet në rrjetin elektro-energjetik e paguajnë konsumtorët.
Në mungesë të një tregu funksional të balancimit dhe dështimit të ZRrE-së në mbikëqyrjen e operatorëve të licencuar për prodhimin e energjisë, barra financiare për jo-balancat iu ngarkohet konsumatorëve në tarifa në vitin pasardhës.
Kjo barrë iu ngarkohet qytetarëve në emër të ‘shërbimeve ndihmëse’, apo energjisë që blehet për të mbajtur rrjetin stabil.
Në vitin 2024, disa muaj pas devijimeve të shkaktuara nga Ibër-Lepenci, një tarifë prej rreth 20 milionë eurove u ishte ngarkuar në fatura konsumatorëve në emër të ‘shërbimeve ndihmëse’.
Në këtë kosto përfshihen edhe devijimet e shkaktuara gjatë atij viti nga akterët e tjerë të energjisë në rrjetin elektroenergjetik, si: KEDS, KESCO, KEK apo prodhuesit e tjerë të energjisë së ripërtëritshme.
Raporti i ZRrE-së nuk sqaron as arsyet konkrete të këtyre devijimeve dhe nuk argumenton nëse raste të ngjashme janë evidentuar edhe te prodhues të tjerë të energjisë në vend.
Po ashtu, mungon një qëndrim zyrtar nga vetë Ibër-Lepenci për arsyet e krijimit të devijimeve dhe ndikimin financiar të tyre.
Paparaci ka dërguar pyetje zyrtare në adresë të “Ibër Lepencit”, por edhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe KOSTT lidhur me devijimet dhe koston e tyre. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, asnjëra nga institucionet nuk ka kthyer përgjigje.
Siç përshkruhet në raport, Ibër-Lepenci është ndërmarrje shumëfunksionale e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit.
Hidrocentrali është 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe sipas legjislacionit në fuqi operon në treg me çmime të derregulluara. /Paparaci.com
