Kandidati i PDK-së për deputet, Rrahman Rama, ka zhvilluar një takim me veteranë, invalidë të luftës dhe familje kontribuuese në Kuçicë të Skënderajt, ku ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të luftës së UÇK-së.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se është takuar me bashkëluftëtarë dhe familje që, sipas tij, kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm për Kosovën.
“Në Kuçicë të Skënderajt u mblodhëm me shokë të luftës, e familje që kontribuan gjithëherë për Kosovën”, ka shkruar ai.
Rama tha se veteranët, invalidët dhe familjet e tyre meritojnë trajtim të dinjitetshëm nga institucionet e vendit, duke premtuar angazhim për avancimin e të drejtave të tyre.
“Veteranët, invalidët dhe familjet e tyre meritojnë që shteti t’i trajtojë dinjitetshëm”, ka theksuar kandidati i PDK-së.
Ai gjithashtu premtoi se projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës do të miratohet së shpejti, me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë së luftës çlirimtare.
“Edhe projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së shpejti do ta bëjmë ligj, për t’i mbrojtur vlerat më të shenjta tona”, është shprehur Rama.
Në fund, ai falënderoi të pranishmit për mbështetjen e dhënë gjatë takimit në Kuçicë.
