Të fundit

AGK publikon tri raporte për mediat në Kosovë: 69 sulme ndaj gazetarëve gjatë vitit 2025 dhe rritje e gjuhës së urrejtjes

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka publikuar tri raporte të reja që trajtojnë gjendjen e lirisë së medias, sigurinë e gazetarëve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në hapësirën mediatike të Kosovës, duke evidentuar sfidat me të cilat po përballet gazetaria në vend.

Gjatë prezantimit të raporteve, kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se gjetjet pasqyrojnë realitetin me të cilin përballen gazetarët në Kosovë.

“Këto raporte tregojnë me statistika dhe zhvillime reale situatat me të cilat ballafaqohen gazetarët në Kosovë, me sulme të vazhdueshme online, që vijnë shumë shpesh nga politika, por edhe me sulme të vërteta fizike, që vijnë si pasojë e një klime të rënduar të të bërit gazetari”, u shpreh Rexha.

Ai shtoi se rekomandimet e raporteve u bëjnë thirrje aktorëve që pengojnë punën e gazetarëve t’i ndalin këto praktika, ndërsa institucioneve të drejtësisë t’i trajtojnë me prioritet rastet e sulmeve ndaj mediave.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Jerome Bouyjou, Shef i të Drejtave të Njeriut në UNMIK dhe Përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i cili theksoi rëndësinë e këtyre raporteve për të kuptuar trendet e lirisë së shprehjes dhe medias në vend.

Ai bëri thirrje për hetime të shpejta të sulmeve ndaj gazetarëve dhe angazhim më të madh institucional për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të drejtave të njeriut.

69 sulme ndaj gazetarëve gjatë vitit 2025
Raporti i parë, “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2025”, i prezantuar nga Getoarbë Mulliqi dhe Yll Zekaj, evidenton kontrastin ndërmjet kornizës ligjore dhe realitetit praktik në Kosovë.

Sipas raportit, ndonëse Kosova ka një bazë ligjore relativisht të avancuar për garantimin e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve, zbatimi i ligjeve dhe efikasiteti institucional mbeten problematikë.

Ndër sfidat kryesore përmenden vonesat në qasjen në informata publike, ndikimi politik në institucionet rregullatore, mungesa e mbrojtjes kundër padive abuzive (SLAPP), si dhe presionet politike e ekonomike ndaj mediave.

Raporti thekson gjithashtu se gazetarët vazhdojnë të punojnë në kushte të pasigurta, me kontrata të paqëndrueshme dhe nën presion të vazhdueshëm.

Në aspektin e sigurisë, viti 2025 është karakterizuar nga 69 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, shoqëruar me rritje të gjuhës së urrejtjes dhe retorikës delegjitimuese nga figura publike dhe politike.

Diskursi politik dominon gjuhën e urrejtjes
Raporti i dytë, “Monitorimi i Medias dhe Gjuhës së Urrejtjes” për periudhën mars–maj 2026, i prezantuar nga profesori Jeton Mehmeti, ka analizuar 138 raste të gjuhës së urrejtjes dhe diskursit të dëmshëm në media dhe rrjete sociale.

Sipas gjetjeve, 71.7 për qind e rasteve lidhen me diskurs politik armiqësor dhe polarizues, ku kundërshtarët politikë shpesh etiketohen si “tradhtarë”, “armiq” apo “kërcënime kombëtare”.

Po ashtu, 77.5 për qind e rasteve janë evidentuar në mediat në gjuhën shqipe, ndërsa 22.5 për qind në ato në gjuhën serbe.

Raporti vë në pah rritjen e retorikës kundër gazetarëve, përdorimin e narrativave konspirative dhe ndikimin e fortë të platformave digjitale në thellimin e polarizimit shoqëror.

Sulmet ndaj gazetarëve mbeten problem sistemik
Raporti i tretë, i prezantuar nga Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL, trajton sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në Kosovë për periudhën 2021–2026.

Sipas raportit, gjatë vitit 2021 janë regjistruar 18 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, në vitin 2022 janë evidentuar 20 raste, në vitin 2023 numri është rritur në 33, ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar 26 raste.

Për vitin 2025 janë raportuar nëntë raste, ndërsa vetëm gjatë periudhës janar–maj 2026 janë evidentuar po ashtu nëntë raste të tjera.

Raporti evidenton se sulmet ndaj gazetarëve përfshijnë sulme fizike, kërcënime direkte, pengim të ushtrimit të profesionit, fushata online dhe gjuhë urrejtjeje, si dhe sulme me bazë gjinore ndaj gazetareve.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura është mungesa e ndjekjes efektive ligjore, pasi vetëm një pjesë e vogël e rasteve përfundojnë me aktakuza.

AGK vlerëson se siguria e gazetarëve mbetet një problem sistemik që ndikon drejtpërdrejt në lirinë e medias dhe në të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci