Të fundit

Cigareshitësi që merr shënime – pjesa e dytë e skandalit të AKI-së dhe Prokurorisë (2)

Se dëshmitë e pjesëtarëve të Agjencisë së Kosovës për inteligjencë në rastin e “Syrit të Popullit” tejkalojnë shumëfish raportin zyrtar që Agjencia i kishte dorëzuar kryeprokurorit të Shtetit, e dëshmojnë transkriptet e dhënies së deklaratave. Këto dëshmi e konfirmojnë se dy dëshmitarët e prezantuar, njëri cigareshitës e tjetri i papunë, janë autor të raportit që i ishte dorëzuar kryeprokurorit, Lumezi.

Vehbi Kajtazi

A mund ta imagjinoni një cigareshitës të ulur në restorant duke marrë shënime nga bisedat e të tjerëve në tavolinat e afërta?

Këtë e ka thënë vetë dëshmitari A3 gjatë dëshmisë së tij të dhënë para trupit gjykues më 16 janar 2018.

Ky dëshmitar bashkë me të “papunin” kanë folur për gjëra të cilat nuk i kishin prezantuar në raportin zyrtar që i ishte dorëzuar kryeprokurorit të Shtetit, Alëksandër Lumezi.

Dëshmitarët që deri dje kanë qenë të prezantuar zyrtarisht si një cigareshitës dhe një i papunë, rezultojnë se janë pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Paparaci ka zbuluar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal. Ata kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë kundër anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, i cili akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

“Po nga kureshtja i kam shënuar”, ka thënë në dëshmi dëshmitari A3 në pyetjen e njërit prej avokatëve.

“Nga kureshtja apo ju tha dikush tjetër t’i shënonit”, është pyetur nga avokati.

“Po nga kureshtja i kam shënuar”, thotë pjesëtari i AKI-së, i cili nga Prokuroria është prezantuar si cigareshitës.

Së dëshmitë e pjesëtarëve të Agjencisë së Kosovës për inteligjencë në rastin e “Syrit të Popullit” tejkalojnë shumëfish raportin zyrtar që Agjencia i kishte dorëzuar kryeprokurorit të Shtetit, e dëshmojnë transkriptet e dhënies së deklaratave.

Këto dëshmi e konfirmojnë se dy dëshmitarët e prezantuar, njëri cigareshitës e tjetri i papunë, janë autorë të raportit që i ishte dorëzuar kryeprokurorit, Lumezi.

Në këtë raport thuhet:

“Është dëgjuar se Sadri Ramabaja ka thënë: Identifikimi është i rrezikshëm. Nëse e publikon këtë. Biseda për formimin e Ushtrisë. Ti nuk mundësh nga ky kënd, sepse duhet me shku me nënshkru. Në Kosovë janë 38 shërbime. Kushdo që përdor banka nuk ka shanse. Me 10 veta duhet me u kry. 5 a 6 veta janë të besueshëm. Nuk guxon ashtu. Biseda për shërbime. Në vitin 93-94 bisedë me Ukshin Hotin, takim në Shqipëri me zyrtarë të lartë. Lufta Civile në Afrikë në shërbim të amerikanëve. Sa herë kam shku në Shqipëri më kanë prit dhe kemi biseduar. Ambasadori në Suedi. Ramushi. Sahiti më tha më përpara kisha shku partizan. Supozoj 40 blloqe, 40 vetë. Qita 40 vetë bahen 120 vetë. Pa e qitë dikush prej qatyne nuk ka shans. Për këtë po sugjeroj mos me u zgjeru ma shumë se 10 veta”,

Afërisht këtë e ka thënë edhe në Gjykatë.

Dëshmitari A2:

“Në Kosovë janë tridhjetë e tetë (38) shërbime, duhet me u rujt, kushdo që përdor banka nuk ka shanca… me dhjetë ( 10) veta duhet me u kry, pesë (5) a gjashtë (6) veta janë shumë të besueshëm, supozoj katërdhjetë (40) blloqe, katërdhjetë (40) vetë e këta katërdhjetë (40) persona bëhen dhjetë (10) vetë pa e qitë dikush prej tyre nuk ka shancë…”- këtë e kam dëgjuar që ky person ja tha personave të tjerë që i kishte afër, njëri prej tyre vetëm dëgjonte kurse personi tjetër bashkëbisedonte e më pas kam dëgjuar duke përmendur emrin e zotit Azem Vllasit dhe personi aktivist i VV-së ja ka dhënë një numër që ai të kontaktojë, personi përballë tij, dhe pasi personi përballë tij e ka marrë numrin ka dalë dy herë jashtë restorantit dhe ka folur në telefon, dhe pastaj është kthyer brenda në lokal… kjo ka qenë e tëra.

Ndërsa dëshmitari A3 nuk e ka përmendur fare Azem Vllasin, por Ramush Haradinajn.

Dëshmitari A3:

“E kam dëgjuar që kanë përmendur 38 shërbime sekrete, që është i rrezikshëm identifikimi i njerëzve, i kam dëgjuar bisedat për shërbimet sekrete në vitin 1993/ 94, bisedat për Ukshin Hotin, po ashtu kam dëgjuar se është përmendur emri i Ramushit dhe ambasadorit të Suedisë, Ramushin e kanë përmendur diçka lidhur me ambasador të Suedisë apo diçka kështu, këto janë veç disa nga fjalët që kam mundur t’i shkëpus nga diskutimet e tyre, po ashtu e di që kanë folur për 40 blloqe, 40 vetë e që këta 40 vetë bëhen 120 veta e që pa e qit dikush prej këtyre nuk ka shancë për këtë po ju sugjeroj që mos me u zgjeru më shumë se 10 vet, kanë thënë se nuk është mirë të zgjerohen se dikush na qet. Këto ishin fjalët që i kam dëgjuar”.

Në raportin e dorëzuar në Prokurori nuk përmenden fare plane vrasjesh. Ndërsa në dëshmitë para gjykatës ata kanë folur për to.

“Po kam dëgjuar duke përmendur figura të larta shtetërore. Si presidentin e Kosovës, ish-kryeministrin, Xhavit Halitin, dhe disa figura tjera shoqërore që tani për momentin nuk po më kujtohet”, ka thënë në Gjykatë dëshmitari A2.

Në pjesën e dytë të hulumtimit, Paparaci sjell të plota dëshmitë e pjesëtarëve të AKI-së, të dhëna në Gjykatë.

Ky skandal, i cilësuar më i madhi në drejtësi nga profesionistë të fushës, shpërfaqë përfshirjen e AKI-së, Prokurorisë në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike në Kosovë.

Paparaci sjellë të plota këto dëshmi që flasin për takimin e 11 marsit 2017 në mes të Muratit dhe Ramabajës.

Dëshmia e dëshmitarit të koduar A2:

Ftohet prokurori i shtetit për të bërë pyetje.

Prokurori i shtetit ka pyetje.

Prokurori: Ku keni qenë më datë 11.03.2017?

Dëshmitari A2: Me datë 11.03.2017 kam qenë në restorantin “Villa Panorama” në Zllatar.

Prokurori: Përafërsisht sa kohë keni qëndruar në atë lokal?

Dëshmitari A2: Po kam shkuar diku 15 minuta para orës 10 dhe ka qëndruar pas orës 11:00.

Prokurori: Me kë keni shkuar në këtë lokal?

Dëshmitari A2: Me një mikun tim me të cilin pothuajse çdo ditë takohemi dhe e kemi lënë që të shkonim në restorantin në fjalë për qejf për të pirë kafen e mëngjesit pasi ishte vikend me sa më kujtohet.

Prokurori: Ju a keni shkuar vetëm apo me atë mikun tuaj në këtë lokal?

Dëshmitari A2: Po, unë kam shkuar i pari e më pas ka ardhur edhe miku im dhe kemi hyrë brenda, jemi ulur në lokal.

Prokurori: Në lokal me kë keni qenë ulur ju në tavolinë?

Dëshmitari A2: Me atë shokun tim.

Pyetje: A ju kujtohet çka keni pirë apo keni ngrënë në atë restorant?

Dëshmitari A2: Pasi që në momentin kur ne u ulëm në restorant nuk kishte rrymë andaj nuk kemi mundur të pijmë kafe ose të hajmë mëngjes, kemi pirë “Coca-Cola”.

Prokurori: A kishte mysafirë të tjerë në lokal?

Dëshmitari A2: Po.

Prokurori: Çka patët rast të dëgjonit apo të shihnit gjatë kohës sa keni qëndruar në atë lokal?

Dëshmitari A2: Unë siç e thashë, së pari kur kam hyrë në restorant dhe kam pyetur a mundem të pijë kafe apo të porosis ushqim dhe jam ulur në anën e majtë të anës ku më ka udhëzuar kamerieri, pastaj ka ardhur shoku im dhe është ulur me mua në të njëjtën tavolinë, afër meje në tavolinë kanë qenë ulur tre persona, ndërsa në anën ku ishte për ushqim, ka qenë veç një çift, pasi ma ka sjellë kamarieri kokakolën, nuk kishte rrymë, nuk kishte internet dhe kam dëgjuar duke folur këta tre persona afër tavolinës sime, unë mund të ceki veç çka kam dëgjuar, jo gjithë fjalinë, gjithë bisedën e tyre nuk kam mundur ta dëgjoj.

Prokurori Sylë Hoxha: Çka keni dëgjuar?

Dëshmitari A2: Po kam dëgjuar duke përmendur figura të larta shtetërore. Si presidentin e Kosovës, ish-kryeministrin, Xhavit Halitin, dhe disa figura tjera shoqërore që tani për momentin nuk po më kujtohet.

Avokati Ramiz Krasniqi kërkon të sqarohet se dëshmitarët anonim a janë vetëm, a e kanë ndonjë person tjetër afër dhe a kanë diçka para vete.

Kryetarja e trupit gjykues njofton mbrojtjen se trupi gjykues, paraprakisht është siguruar për vend-ndodhjen dhe pozitën e dëshmitarit të mbrojtur, ai është vetëm dhe se nuk është i shoqëruar nga askush dhe nuk ka asgjë para vetes.

Shqyrtimi vazhdon në marrjen në pyetje të dëshmitarit A2.

Ftohet Prokurori i shtetit për të vazhduar me pyetje.

Prokurori Sylë Hoxha: Na tregoni se a ju kujtohet çka u diskutua apo u fol për këta persona?

Dëshmitari A2: Jo, saktë nuk më kujtohet.

Prokurori Sylë Hoxha: Na trego se ju a e njihnit ndonjërin prej këtyre personave që ishin afër jush dhe që i përmendën këto personalitete siç edhe e theksove?

Dëshmitari A2: Po kur kam hyrë e kam parë apo e kam njohur vetëm njërin nga këta tre (3) persona, e njoh që është aktivist i Vetëvendosjes por me emër nuk e kam njohur vetëm se e kam parë si asamblesit ne KK Prishtinë apo si aktivist të VV, asgjë më shumë.

Prokurori Sylë Hoxha: Na tregoni se gjatë qëndrimit tuaj a ishit afër a keni dëgjuar edhe ndonjë bisedë tjetër e që sot ju kujtohet a mund të na e thoni çka konkretisht keni dëgjuar që ju ka mbetur në mendje apo ju kujtohet, që ju ka tërhequr vërejtën?

Dëshmitari A2: Po ne ishim afër me tavolina por edhe me pozitën në të cilën isha ulur lirshëm mund ta dëgjoja, unë kam dëgjuar që zotëria përballë meje që ishte aktivist i VV të cilit ju ka dëgjuar mirë zëri i tij, pra unë e kam dëgjuar se ai ka thënë:

“Në Kosovë janë tridhjetë e tetë (38) shërbime, duhet me u rujt, kushdo që përdor banka nuk ka shanca… me dhjetë ( 10) veta duhet me u kry, pesë (5) a gjashtë (6) veta janë shumë të besueshëm, supozoj katërdhjetë (40) blloqe, katërdhjetë (40) vetë e këta katërdhjetë (40) persona bëhen dhjetë (10) vetë pa e qitë dikush prej tyre nuk ka shancë…”- këtë e kam dëgjuar që ky person ja tha personave të tjerë që i kishte afër, njëri prej tyre vetëm dëgjonte kurse personi tjetër bashkëbisedonte e më pas kam dëgjuar duke përmendur emrin e zotit Azem Vllasit dhe personi aktivist i VV-së ja ka dhënë një numër që ai të kontaktojë, personi përballë tij, dhe pasi personi përballë tij e ka marrë numrin ka dalë dy herë jashtë restorantit dhe ka folur në telefon, dhe pastaj është kthyer brenda në lokal… kjo ka qenë e tëra.

Prokurori Sylë Hoxha: Na tregoni, a të kujtohet se kush ka dal nga ky restorant ju apo ata tre personat?

Dëshmitari A2: Po unë e di se para orës dymbëdhjetë (12) ata tre (3) persona kanë dalë nga restoranti të tre së bashku kanë hipur në një xhip më ngjyrë të zezë dhe janë larguar, ne kemi qenë pas tyre.

Prokurori Sylë Hoxha: Na tregoni a keni dëgjuar dhe kur keni dëgjuar për organizatën “Syri i Popullit”?

Dëshmitari A2: Po kam dëgjuar përmes medieve pas atentatit ndaj Azem Vllasit dhe pas një jave kur janë përmendur edhe emrat e personave të dyshuar nga kurreshtja me janë kujtuar se ishin personat që kishin qenë më parë në “Villa Panorama”.

Prokurori Sylë Hoxha: Si keni vepruar ju pastaj?

Dëshmitari A2: Po pas një jave kam dëgjuar , e kam thirr shokun tim dhe kemi biseduar mes vete se a ishte ky personi i dyshuar që ishte në “Villa Panorama” e që kishte kryer atentatin ndaj Azem Vllasit, kjo ka qenë.

Prokurori Sylë Hoxha: Na tregoni se ju a keni bërë identifikimin e personave të dyshuar në hetuesi, ju e keni dhënë një deklaratë si dëshmitar anonim a qëndroni pas kësaj deklarate?

Dëshmitari A2: Po kjo është e saktë.

Prokurori Sylë Hoxha nuk ka pyetje, duke rezervuar të drejtën për rimarrje.

Ftohet përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Nasuf Hasani për të bërë pyetje.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Nasuf Hasani nuk ka pyetje.

Ftohet avokati Naim Rudari i të akuzuarit Avni Llumnica, për të bërë pyetje.

Avokati Naim Rudari i të akuzuarit Avni Llumnica ka pyetje.

Avokati: Çfarë përgatitje arsimore keni?

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: A mund ta dimë qëllimin e vizitës suaj në restorantin “Panorama”?

Dëshmitari A2: Vetëm për të pirë kafe.

Avokati: A shkoni shpesh në këtë restorant?

Dëshmitari A2: Jo shpesh.

Avokati: A ju kujtohet çfarë dite ka qenë data 11.03.2017?

Dëshmitari A2: Po, ka qenë ditë e shtunë.

Avokati: Ju ditëve të shtune a punoni apo e keni të lirë?

Dëshmitari A2: Varësisht.

Avokati: Këtë që e deklaruat tani a mund ta dimë se a e ke të shkruar diku apo e keni të fotografuar apo të incizuar dhe çfarë dite ka qenë?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata e lejon këtë pyetje.

Dëshmitari A2: Po ditën e shtunë e mbaj mend ishte vikend.

Avokati Naim Rudari nuk ka pyetje tjera.

Ftohet i akuzuari Avni Llumnica nëse ka pyetje.

I akuzuari Avni Llumnica ka pyetje.

Avni Llumnica: Dëshmitar gënjeshtrën a e keni të lindur apo të fituar?
Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avni Llumnica: Ditën kritike a keni qenë duke dhënë ndonjë provim pranues apo duke mbrojtur temën e diplomës?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avni Llumnica: Ditën që ju thoni me datë 11.03.2017 në restorant “Villa Panorama” nuk ka pasur korentë dhe internet, po ashtu ju thoni se keni porositur pije freskuese, a është kështu?

Dëshmitari A2: Po ashtu ishte.

Avni Llumnica: Atëherë unë a isha pikërisht në atë restorant duke drekuar apo duke pirë dicka?

Dëshmitari A2: Nuk më kujtohet.

Avni Llumnica: Pasi keni përfunduar ndejën në lokal me mikun tuaj, a keni shkuar në shtëpi tek njëri-tjetri si miq apo keni shkuar secili nëpër shtëpitë tuaja?

Dëshmitari A2: Jemi shpërndarë.

Avni Llumnica: Këtë pyetje e bëra sepse unë me Muratin jam ndarë këtë e thashë sepse nuk kam qëndruar me të. Ju keni deklaruar sot se keni dëgjuar ndonjë bisedë jo të zakonshme, atëherë pyetja ime është pse nuk i keni ftuar organet përkatse në atë moment?

Dëshmitari A2: Unë nuk e kam parë të arsyeshme në atë moment për të lajmëruar sepse biseda politike zhvillohen kudo dhe mua vetëm më ishte shtuar kureshtja ta dija se çfarë po bisedohej dhe pas rastit pastaj kam dhënë dëshminë time.

Avni Llumnica nuk ka pyetje tjera.

Ftohet avokati Arsim Bilalli i të akuzuarit Ragip Sallovës, për të bërë pyetje.

Avokati Arsim Bilalli i të akuzuarit Ragip Sallovës ka pyetje.

Avokati: Ju dëshmuat se ishit afër a ju kujtohet distanca e tavolinave mes jush dhe tavolina e këtyre tre personave?

Dëshmitari A2: Tavolinat kanë qenë shumë afër me njëra-tjetrën, diku as një metër.

Avokati: A mund të na tregoni a keni qenë brenda apo jashtë lokalit?

Dëshmitari A2: Po ne ishim brenda, në restorant në tavolinën e parë që ishin personat në fjalë ulur kurse unë isha i ulur në tavolinën e dytë.

Avokati: A shkoni shpesh në këtë lokal?

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje pasi që është e konsumuar.

Avokati: Ky restorant a ka tarracë?

Dëshmitari A2: Nuk po më kujtohet.

Avokati: Tavolina juaj ka qenë afër shankut apo jo?

Dëshmitari A2: Jo.

Avokati: Juve a ju kujtohet sa hyrje i ka ky restoranti brenda?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata e lejon këtë pyetje.

Dëshmitari A2: Nuk e di saktë sa hyrje i ka ky lokal, unë kam hyrë nga hyrja kryesore.

Avokati: A ju kujtohet ata tre (3) persona çka kanë pasur veshë?

Dëshmitari A2: Personi aktivisti i VV ka pasur syze dhe nuk e di se çka ka pasur veshë, sikur edhe për ata dy personat e tjerë nuk më kujtohet se çka kanë pasur veshë.

Avokati Arsim Bilalli i të akuzuarit Ragip Sallovës nuk ka pyetje tjera.

Ftohet i akuzuari Ragip Sallova.

I akuzuari Ragip Sallova nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Ftohet avokati Ramiz Krasniqi i të akuzuarit Sadri Ramabaja, për të bërë pyetje.

Avokati Ramiz krasniqi i të akuzuarit Sadri Ramabaja ka pyetje.

Avokati: Ju edhe në pyetjen e Prokurorit deklaruat se në deklaratën e datës 16.01.2018 keni thënë gjithë të vërtetën lidhur me këtë rast, kjo a është e saktë?

Dëshmitari A2: Po.

Avokati: A është e saktë se atë ditë keni shkuar për të pirë kafe me shokun tuaj, me të cilin ju pini çdo ditë kafe, a është kjo e saktë?

Dëshmitari A2: Po e saktë.

Avokati: Ju në këtë restorant keni dëgjuar biseda të caktuara politike mes personave që nuk i keni njohur dhe këto biseda të natyrës politike ju kanë zgjuar kureshtjen, a është e saktë edhe kjo?

Dëshmitari A2: Po edhe kjo është e saktë.

Avokati: Këta persona a e kanë përmendur për ndonjë moment ndonjë personalitet tjetër politik të Kosovës, jashtë këtyre personave që veç ju i keni cituar më lartë?

Dëshmitari A2: Po.

Avokati: A mund të na thoni se cilin personalitet e kanë përmendur?

Dëshmitari A2: I kanë përmendur shumë personalitete por unë i kam cekur emrat të cilët i kam mbajtur mend.

Avokati: Nëse ta përmendi një personalitet që është biseduar nga tre personat që ishin në këtë restorant a të kujtohet, pra a është përmendur emri i Ukshin Hotit?

Dëshmitari A2: Nuk më kujtohet që është përmendur emri i Ukshin Hotit.

Avokati: A mund të na thoni se ku ishte ulur shoku juaj në raport me ju?

Dëshmitari A2: Përballë meje.

Avokati: Në raport me tre (3) personat e tjerë ku ishte ulur shoku juaj, cila ishte pozita e tij?

Dëshmitari A2: Karrigë, përballë meje.

Avokati: Po shoku juaj a ishte i kthyer me fytyrë nga tre personat apo ishte me shpinë i kthyer nga tre personat që bisedën e tyre e përcillje ti?

Dëshmitari A2: Shoku im ishte me fytyrë përballë meje por me shpinë nga personat e tjerë qe ishn përballë meje.

Avokati: Çka bënte shoku juaj derisa ka qëndruar në restorant e që dëgjonit bisedat e të tjerëve në tavolinën tjetër?

Dëshmitari A2: Edhe ai si unë ka dëgjuar.

Avokati: Ky personi që dëgjonte sikurse ti a kishte diçka në dorë (ndonjë letër, laps)?

Dëshmitari A2: Po telefonin e ka pasë.

Avokati: A të kujtohet çka bënte me telefon, dhe a pranoi ndonjë thirrje derisa ishit ju duke e dëgjuar bisedën e këtyre?

Dëshmitari A2: Nuk më kujtohet se a ka pasur ndonjë thirrje telefonike shoku im.

Avokati: A të kujtohet sa prej tyre kanë mbajtur syze?

Dëshmitari A2: Sa më kujtohet mua vetëm personi përballë meje ka pasur syze.

Avokati: Ju gjatë bisedës së këtyre personave a keni dëgjuar fjalën “Shqipëri” dhe fjalën “Ambasadë”?

Dëshmitari A2: Jo nuk më kujtohet.

Avokati: Po fjalët “Lufta Civile në Afrikë në shërbim të Amerikanëve” a i keni dëgjuar?

Dëshmitari A2: Jo nuk më kujtohet.

Avokati: Ju a do të thotë se nuk ju kujtohet se personat që i keni përcjellë kanë përmendur fjalën “Lufta Civile në Afrikë në shërbim të Amerikanëve”?

Dëshmitari A2: Nuk më kujtohet.

Avokati: A nuk të kujtohet apo nuk e keni dëgjuar?

Dëshmitari A2: Unë veç çka më është kujtuar nga ajo që e kam dëgjuar e kam cekur më lart.

Avokati: Ju nuk keni pasur problem ta dëgjoni bisedën e këtyre personave sepse ne restorant kishte qetësi dhe se personat që kanë biseduar bisedonin mjaft zëshëm që ju ta dëgjonit bisedën, a është e saktë kjo?

Dëshmitari A2: Po edhe kjo është e saktë ngase unë kam mundur veç personin përballë ta dëgjoj lirshëm ndërsa personi në anën e majtë nuk ka folur fare dhe personin tjetër nuk e kam dëgjuar ngase e kishte shpinën nga unë.

Avokati: Po personi në anën e djathtë a ka folur?

Dëshmitari A2: Po siç thashë ai ka folur por nuk kam mundur ta dëgjoj.

Avokati: Ju keni deklaruar se ju ka zgjuar kureshtjen biseda në një lokal publik sepse ishte bisedë politike, a është e saktë?

Dëshmitari A2: Nuk kam përgjigje, nuk mund të përgjigjem.

Avokati: Pse nuk mund të përgjigjesh në këtë pyetje apo po kërkon këshillë nga dikush?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje sepse tha që nga kureshtja i ka dëgjuar.

Gjykata e pranon kundërshtimin, nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: A ndodhë kjo se ju nuk po mund të përgjigjeni sepse nuk e keni planifikuar që do e merrnit një pyetje të tillë?

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: A të ka ndodhur edhe herave të tjera të dëgjoni nëpër lokale publike biseda të tilla?

Prokurori i shtetit e kundërshton.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar e kundërshton këtë pyetje për faktin se për ne është mëse e njohur dukuria e muhabeteve politike dhe këtu nuk paraqet asnjë relevancë.

Gjykata lejon pyetjen.

Dëshmitari A2: Po kam dëgjuar.

Avokati: Meqenëse keni dëgjuar edhe në lokale tjera biseda politike a keni qenë të interesuar të dini mes kujt po zhvillohen këto biseda dhe për ke po bisedohet?

Dëshmitari A2: Nuk e kam të qartë pyetjen për tu përgjigjur.

Avokati: Meqenëse paske dëgjuar edhe më herët biseda politike a i keni denoncuar këto biseda politike apo është rasti i parë që i keni denoncuar?

Dëshmitari A2: Nuk kam përgjigje.

Avokati: Meqenëse ju refuzoni të përgjigjeni në pyetjen e mbrojtjes për çka këtë nuk guxoni ta bëni sipas ligjit apo a mos gëzoni ndonjëfarë imuniteti të mos përgjigjeni në pyetjet për të cilat jeni i obliguar të përgjigjeni.

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje, kjo nuk është relevante.

I akuzuari Sadri Ramabja reagon, kjo është shumë relevante.

Gjykata e lejon pyetjen.

Dëshmitari A2: Jo.

Avokati: Ju keni thënë se njëri nga këta tre persona nuk ka folur fare por ju ka shikuar me interesim a është e saktë që keni thënë kështu?

Prokurori i Shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata lejon pyetjen.

Dëshmitari A2: Po.

Avokati: A mund të na thoni sa ishte larg nga ju ky personi që ju shikonte me interesim?

Dëshmitari A2: Po zotëri avokat, ishte një tavolinë që ishte afër meje.

Avokati: Përkundër kësaj distance jo të largët ju nuk keni mundur ta identifikoni përshkrimin e këtij personi, a është e saktë?

Dëshmitari A2: Jo nuk kam mundur ta përshkruaj, por ta identifikoj po.

Avokati: A e di ti çka është identifikimi i një personi dhe përshkrimi i një personi?

Dëshmitari A2: Po unë desha ta cekë, ta sqaroj se kam mundur ta identifikoj si person e jo çka ka pasur veshë, pra përshkrim kjo ishte.

Avokati: A mund të na thoni se kur ka ardhur shoku juaj diku para orës 11:00 a keni biseduar diçka me shokun tuaj?

Dëshmitari A2: Po, shoku im ka ardhr para orës 11:00 dhe po kemi biseduar mes veti.

Avokati: Derisa ke biseduar me shokun tuaj a ke mundur t’i përcjellësh edhe çka po bisedohet në tavolinën tjetër.

Dëshmitari A2: Jo.

Avokati: Ju kur keni biseduar për plagosjen e avokati Azem Vllasit dhe nga kush e keni dëgjuar?

Dëshmitari A2: Në portale kam dëgjuar.

Avokati: Kur jeni lajmëruar për dëshmitar dhe në çfarë mënyre jeni lajmëruar?

Dëshmitari A2: Nuk kam përgjigje.

Avokati: A jeni i brengosur se shoku juaj ka zbuluar emrin gjatë dhënies së deklaratës?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata e pranon kundërshtimin.

Avokati: A po dëshironi ta bindni gjykatën se ju rastësisht keni përgjuar bisedën e personave të panjohur dhe rastësisht i keni mbajtur mend pamjet e tyre, se rastësisht ju ka zgjuar kureshtjen biseda me përmbajtje politike e të cilat janë shumë të zakonshme në Kosovë?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata e lejon këtë pyetje.

Dëshmitari A2: Po e rastit ka qenë.

Avokati: A keni ndonjë përgatitje profesionale për përgjimin e bisedave, memorizimin e bisedave, montimin e bisedave dhe shtrembërimin e pyetjeve?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: A keni ndonjë përgatitje profesionale se si duhet të veprohet në pajtim me ligjin për shërbime sekrete për procedimin e bisedave të cilat i seleksiononi si të rrezikshme për një shoqëri?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: Pra, a keni pasur njohuri se pa u konsultuar me ndonjë ekspert se ku duhet të procedohen këto biseda që i keni dëgjuar. Pyetja ime është a jeni konsultuar me ndonjë ekspert se ku duhet t’i procedoni këto biseda?

Prokurori i shtetit e kundërshton, nuk është relevante.

Gjykata e lejon pyetjen.

Avokati Ramiz Krasniqi nuk ka pyetje tjera.

Ftohet i akuzuari Sadri Ramabaja për të bërë pyetje për dëshmitarin.

I akuzuari Sadri Ramabaja ka pyetje për dëshmitarin.

Ramabaja: Dëshmitar thatë se keni qenë në “Villa Panorama” se keni qenë i ulur në anën e majtë të restorantit, po ashtu thatë se keni qenë i ulur afër nesh. Pyetja ime është a është e vërtetë kjo?

Dëshmitari A2: Po është e saktë.

Ramabaja: Po tavolinat ku kemi qenë të ulur ne të tre (3) ka qenë tërësisht në skajin e djathtë, a është kështu?

Dëshmitari A2: Jo kjo nuk është e saktë.

Ramabaja: Ky është një trillim i llojit të vet sepse ne ishim të ulur në skajin e djathtë krejt në kënd.

Pyetja ime është a keni qenë me të vërtetë në “Villa Panorama” më datë 11..03.2017 apo deklaratën e keni dhënë pa qenë fare aty?

Prokurori i shtetit e kundershton pyetjen dhe se i akuzuari nuk ka të drejtë të komentojë deklaratat e dëshmitarit se ku dhe si i ka dhënë.

Gjykata e lejon pyetjen duke ia ripërsëritur dëshmitarit pyetjen e parashtruar.

Dëshmitari A2: Po kam qenë i pranishëm në “Villa Panorama” me datën 11.03.2017.

Kryetarja e trupi gjykues konstaton se pasi që jemi në kohën e pushimit të drekës dhe me propozimin e palëve në procedurë si dhe të akuzuarve që gjenden në paraburgim dhe e kanë kohën e paraparë për pushimin e drekës me këtë:

AKTVENDIM – Ndërpritet shqyrtimi gjyqësor dhe do të vazhdojë pasdite prej orës 13:00, palët u njoftuan për kohën e vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor.

Trupi gjykues kthehet në sallën e gjykimit në ora 13:00 në përbërje të njëjtë dhe pranë palëve të njëjta në procedurë dhe merr këtë:

AKTVENDIM- Vazhdohet shqyrtimi gjyqësor në marrjen në pyetje të dëshmitarit A2.
Ftohet i akuzuari Sadri Ramabaja për të vazhduar marrjen në pyetje të dëshmitarit A2.

I akuzuari Sadri Ramabaj ka pyetje.

Ramabaja: Në dëshminë tuaj me shkrim që citohet në paragrafin e parë të aktakuzës faqe 69 por edhe sot në njëfarë mënyre ju e potencuat se “Unë paskam thënë në bisedën më miqtë mi më datë 11.03.2017 në “Villën Panorama” se në Kosovë janë 38 shërbime…” ju a jeni i sigurt se këtë pohim që në fakt ka qenë një citim i një deklarate të z. Adem Deçanit e ka thënë pikërisht në atë tavolinë?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata e lejon sepse ka të bëjë me pretendimet që dëshmitari e ka dëgjuar apo jo.

Dëshmitari A2: Po këtë e ke thënë, bile siç e ke thënë e kam deklaruar.

Ramabaja: Mos vallë këtë pohim e keni dëgjuar në parkingun e Villës Panorama, pra jo brenda në restorant dhe pastaj e keni shkëputur nga konteksti i tërë asaj që e kam thënë unë?

Prokurori i shtetit kundërshton.

Gjykata lejon këtë pyetje.

Dëshmitari A2: Jo, këtë çka e kam dëgjuar ka qenë brenda në lokal e thënë nga ju, është ajo çka e thashë më herët.

Ramabaja: Në atë tavolinë unë kam potencuar edhe emrat e personaliteteve të tjerë publik, politik e shkencor, kam përmendur emrin e Rexhep Mejdanit ish President i Republikës së Shqipërisë, kam përmendur emrin e dr. Sabit Brokaj këshilltar për çështje të sigurisë. Kam përmendur emrin e Ilir Kullës, kolegut tim këshilltar i presidentit aktual të Shqipërisë, kam përmendur emrin e Ali Ahmmetit mikut tim kryetar i BDI-së, kam përmendur emrin e Sami Ukshinit i njohur si Komandat Sokoli etj etj, po këta emra zoti dëshmitar a i ke dëgjuar?

Dëshmitari A2: Nuk më kujtohet se i ke përmendur edhe këta emra që po i përmend.
I akuzuari Sadri Ramabaja komenton “Më vjen keq për kujtesën tënde, nuk kam pyetje tjera”.

Ftohet Avokati Nikë Shala i të akuzuarit Sabit Berisha për të bërë pyetje.

Avokati Nikë Shala të akuzuarit Sabit Berisha, nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Ftohet akuzuari Sabit Berisha për të bërë pyetje.

I akuzuari Sabit Berisha nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Ftohet avokati Fahri Shala i të akuzuarit Bexhet Luzha për të bërë pyetje.

Avokati Fahri Sadriu i të akuzuarit Bexhet Luzha nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Ftohet i akuzuari Bexhet Luzha për të bërë pyetje.

I akuzuari Bexhet Luzha nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Vazhdon dëshmia e dëshmitarit të koduar A3:

Ftohet Prokurori i Shtetit për të bërë pyetje.

Prokurori i Shtetit ka pyetje.

Prokurori: Dëshmitar na tregoni ku keni qenë më datën 11.03.2017?

Dëshmitari A3: Po me sa e kujtoj rreth orës 11:00 jam takuar me shokun tim pasi më parë e kam lënë një takim me të në një restorant në Matiçan i cili quhet “Villa Panorama” ai kishte shkuar para meje aty dhe unë shkova pas tij.

Prokurori: Ju jeni takuar aty me atë shokun tuaj?

Dëshmitari A3: Po e saktë.

Prokurori: A ju kujtohet përafërsisht sa keni qëndruar në atë lokal?

Dëshmitari A3: Po unë kam shkuar para orës 11:00 dhe deri pas orës 12:00 kemi qëndruar aty.

Prokurori: A ju kujtohet se a ka pasur mysafirë të tjerë në atë lokal?

Dëshmitari A3: Po ka pasur, ne ishim ulur në një tavolinë, pra unë kur kam shkuar jam ulur në një tavolinë me shokun tim dhe një tavolinë afër nesh kanë qenë ulur tre persona të tjerë, ka pasur edhe tavolina të tjera me mysafirë por jo shumë mysafirë.

Prokurori: Çka ju la përshtypje në atë restorant atë ditë?

Dëshmitari A3: Kur jam ulur shoku im më ka thënë që t’i dëgjojmë këta tre persona se çfarë po flasin sepse po përmendin emra të personaliteteve shtetërore dhe meqenëse për disa momente nuk kishte rrymë, muzika ishte ndalur pak a shumë mund t’i dëgjonim rrjedhshëm bisedat e tyre dhe shoku im më ka thënë të dëgjoj çka po flasin.

Prokurori: A të kujtohet ndonjë fjali se çka kanë folur personat që ti i ke dëgjuar?

Dëshmitari A3: Po i kam dëgjuar disa fjalë sikurse disa fjalë i kam shënuar sa kam mundur të jem i sigurt me atë që kam dëgjuar dhe i kam shënuar.

Prokurori: Çfarë keni shënuar konkretisht?

Dëshmitari A3: Po kam shënuar atë që kam dëgjuar.

Prokurori: Na tregoni çka keni dëgjuar.

Dëshmitari A3: E kam dëgjuar që kanë përmendur 38 shërbime sekrete, që është i rrezikshëm identifikimi i njerëzve, i kam dëgjuar bisedat për shërbimet sekrete në vitin 1993/ 94, bisedat për Ukshin Hotin, po ashtu kam dëgjuar se është përmendur emri i Ramushi-it dhe ambasadorit të Suedisë, Ramushin e kanë përmendur diçka lidhur me ambasador të Suedisë apo diçka kështu, këto janë veç disa nga fjalët që kam mundur t’i shkëpus nga diskutimet e tyre, po ashtu e di që kanë folur për 40 blloqe, 40 vetë e që këta 40 vetë bëhen 120 veta e që pa e qit dikush prej këtyre nuk ka shancë për këtë po ju sugjeroj që mos me u zgjeru më shumë se 10 vet, kanë thënë se nuk është mirë të zgjerohen se dikush na qet. Këto ishin fjalët që i kam dëgjuar.

Prokurori: A i ke njohur më parë këta tre persona që ishin ulur afër jush?

Dëshmitari A3: Përveç njërin prej tyre e kam parë në TV pasi ishte fytyrë publike.

Prokurori: Cili ka qenë ai?

Dëshmitari A3: Po i mban disa syze me diametër dhe pas shikimit nëpër televizor e kam identifikuar se është Sadri Ramabaja.

Prokurori: Po ata dy personat që kanë qenë me Sadri Ramabajën kush janë a e di?

Dëshmitari A3: Sot mund t’i identifikoj por më parë nuk i kam njohur, kur kam hyrë në restorant në anën e majtë diku tavolina e parë kanë qenë ata prej derës së restorantit dhe pas asaj tavoline ngjitur ka qenë shoku im dhe unë jam ulur me shpinë të kthyer me personat e tjerë ku i kemi pasur karriget shumë afër, përballë Sadri Ramabajës ka qenë një person i plotë dhe një tjetër në anën e djathtë të Sadrisë i ka rënë, ka qenë me flokë të thinjura, i vjetër në moshë, me emra ata persona nuk i di.

Prokurori: A të kujtohet prej këtyre personave kush ka biseduar më shumë, kush ka folur më gjatë apo cili nga ta ti i ke dëgjuar që i ka folur ato fjalë?

Dëshmitari A3: Po më shumë ka folur Sadria dhe personi që e kam pasur ngjitur me mua e kam dëgjuar duke folur për diçka, por çka ka folur nuk më kujtohet, Sadri Ramabja ia kthen në përgjithësi ato që i përmenda më herët.

Prokurori: A i ke parë se gjatë qëndrimit atë këta tre persona a janë përshëndetur me persona të tjerë?

Dëshmitari A3: Po.

Prokurori: A ke dëgjuar ndonjë se po flitej për ndonjë numër të telefonit a ke dëgjuar ndonjë numër të telefonit?

Dëshmitari A3: Gjatë bisedës së tyre kemi mundur t’i dëgjojmë edhe disa numra të telefonit të cilët i kanë shkëmbyer sikur që është përmendur edhe në numër që nuk është i Kosovës dhe që e shkëmbyen me disa persona të tjerë me të cilët u takuan dhe u përshëndetën me ta.

Prokurori: A të kujtohet këta tre persona kur kanë dalë nga lokali?

Dëshmitari A3: Ata persona kanë qenë të ulur në anën tjetër të restorantit, nga hyrja ku hynë ata kanë dalë para këtyre personave që ishin afër në tavolinë me ne.

Prokurori: Këta persona që ishin afër jush a kanë dalë para jush apo pas jush?

Dëshmitari A3: Këta persona që ishin afër nesh kanë dalë para nesh nga lokali.

Prokurori: Ju keni dhënë një deklaratë lidhur me identifikimin e personave të dyshuar dhe një deklaratë lidhur me këtë rast. A qëndroni prapa deklaratës së dhënë me datë 16.01.2018?

Dëshmitari A3: Asnjë fjalë nuk e kam shtuar më shumë nga ajo që e kam thënë dhe qëndroj në tërësi pranë asaj që e kam thënë dhe prapa kësaj që dëshmova sot.

Prokurori Special nuk ka pyetje tjera duke rezervuar të drejtën për rimarrje.

Ftohet përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Nasuf Hasani për të bërë pyetje .

Avokati Nasuf Hasani nuk ka pyetje për dëshmitarin A3.

Ftohet i dëmtuari Azem Vllasi për të bërë pyetje.

I dëmtuari Azem Vllasi ka pyetje për dëshmitarin A3.

Azem Vllasi: Ju thatë më herët se kanë qenë tre persona siç i përshkruajte se ka qenë personi Sadri Ramabaja tani a mundesh t’i identifikoni këta dy persona të tjerë që ishin në Villën Panorma sepse këtu janë 10 persona të tjerë dhe duhet të sqarojmë saktë se cilët ishin tre personat për t’i identifikuar më datë 11.03.2017?

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje pasi identifikimi është bërë në fazën e hetimit.

I dëmtuari Azem Vllasi nuk ka pyetje të tjera.

I akuzuari Sadri Ramabaja dhe mbrojtësi i tij avokati Ramiz Krasniqi propozojnë të shkohet në një pauzë të shkurtër.

AKTVENDIM- Ndërpritet shqyrtimi gjyqësor dhe do të vazhdojë pasi merret pauzë prej 5-10 minutave.

Trupi gjykues kthehet në sallën e gjykimit në përbërje të njëjtë dhe pranë palëve të njëjta në procedurë dhe merre këtë.

AKTVENDIM – Vazhdohet shqyrtimi gjyqësor në marrjen në pyetje të dëshmitarit A3.
Ftohet avokati Naim Rudari i të akuzuarit Avni Llumnica, për të bërë pyetje.

Avokati Naim Rudari ka pyetje.

Avokati: Në deklarimin e sotëm thatë se keni mbajtur disa shënime a mund ta dimë se cila ka qenë arsyeja e mbajtjes së shënimeve?

Dëshmitari A3: Shënimet i kam mbajtur se pasi që shoku im më tha janë duke folur diçka dhe dëgjonte, pasi që muzikë nuk ka pasur, rrymë nuk ka pasur dhe pastaj thashë hajt t’i shkruaj dhe ia tregoj në telefon dhe pastaj t’i tregoj shokut tim se çka kam dëgjuar.

Avokati: A ke pasur ndonjë obligim ndaj shokut tuaj për t’i raportuar se çka keni dëgjuar dhe çka keni shënuar.

Dëshmitari A3: Jo nuk kam pasur obligim.

Avokati: Keni përmendur sot se keni dëgjuar fjalë 40 blloqe, 40 vetë këta bëhen 120 a ka qenë e kuptueshme kjo për ju se çka do të thotë?

Dëshmitari A3: Jo, kjo është veç një pjesë e shkëputur se çka kam dëgjuar.

Avokati: Po sot a e dini se çka do të thotë kjo?

Dëshmitari A3: Jo as sot nuk e di.

Avokati: Në seancën e sotme jeni munduar të bëni edhe përshkrimin e personave a mund ta dimë se me datë 11.03.2018 për sa kohë i keni parë figurat e personave?

Dëshmitari A3: Po rreth një orë.

Avokati: Ju në deklarimin e sotshëm thatë se keni qenë i ulur me shpinë nga këta tre persona, kur ka qenë kjo koha e plotë prej një ore që ju i keni parë këta tre persona kur ju thoni se keni qenë i kthyer për shpinë.

Dëshmitari A3: Po për shpine kam qenë nga njëri person kurse kohë pas kohe e kam kthyer kokën dhe njëri prej tyre është çuar dy herë nga tavolina bile ka dalë jashtë për të folur në telefon.

Avokati: A mund të dimë arsyen pse qëndruat aq gjatë kur nuk kishte as rrymë as muzikë ku nuk ka as kafe?

Dëshmitari A3: Po ishte vikend ditë e shtunë me sa më kujtohet ka qenë.

Avokati Naim Rudari nuk ka pyetje të tjera.

Ftohet i akuzuari Avni Llumnica nëse ka pyetje.

I akuzuari Avni Llumnica ka pyetje.

Avni Llumnica: Çfarë do të thotë kjo për ju nuk ka pasur korent në lokal?

Dëshmitari A3: Po nuk ka pasur rrymë, nuk ka pasur muzikë, është ndalur rryma në restorant.

Avni Llumnica: Po të kishte pasur rrymë a do të kishit drekuar aty?

Dëshmitari A3: Jo.

Avni Llumnica: Po mua a më ke parë duke drekuar aty?

Dëshmitari A3: Jo, ju ishit personi që ka qenë në anën e djathtë të Sadri Ramabajës dhe unë nuk ju kam vërejtur se ishit duke ngrënë por vetëm duke shikuar dhe nuk ke folur.

I akuzuari Avni Llumnica nuk ka pyetje.

Ftohet avokati Arsim Bilalli i të akuzuarit Ragip Sallovës, për të bërë pyetje.

Avokati Arsim Bilalli i të akuzuarit Ragip Sallovës nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Ftohet i akuzuari Ragip Sallova.

I akuzuari Ragip Sallova ka pyetje për dëshmitarin.

Ftohet avokati Ramiz Krasniqi i të akuzuarit Sadri Rambaja për të bërë pyetje.

Avokati Ramiz Krasniqi i të akuzuarit Sadri Ramabaja ka pyetje për dëshmitarin.

Avokati: Ju në pyetjen e prokurorit deklaruat se keni dhënë deklaratë te prokurori dhe se qëndroni pranë kësaj deklarate dhe në këtë deklaratë e keni thënë gjithë të vërtetën, kjo a është e saktë?

Dëshmitari A3: Po e saktë.

Avokati: Ju keni thënë se bisedën e keni dëgjuar me këta persona prej orës 11:00 deri në ora 12:00, po kjo a është ë saktë?

Dëshmitari A3: Po unë kam shkuar para orës 11:00 dhe kam qëndruar deri pas orës 12:00.

Avokati: Ju keni thënë se nga biseda që keni dëgjuar keni shënuar diçka në telefonin tuaj, po kjo a është e saktë?

Dëshmitari A3: Po e saktë.

Avokati: A do të thotë kjo se në telefonin tuaj nuk e keni shënuar tërë bisedën mes këtyre personave por keni shënuar vetëm diçka nga biseda?

Dëshmitari A3: Po ashtu është dhe ashtu thash më parë.

Avokati: A mund të na tregoni se në çfarë mënyre e keni bërë seleksionimin e fjalëvë të shënuara në telefon?

Dëshmitari A3: Po për fjalët që i kam dëgjuar për çka kam qenë i sigurt i kam shënuar, pra vetëm ato që i kam dëgjuar mirë i kam shënuar.

Avokati: A do të thotë kjo se ka pasur edhe bisedë që ju nuk e keni dëgjuar mirë e që është zhvilluar në mes këtyre tre personave?

Dëshmitari A3: Po.

Avokati: Arsyeja për të shënuar diçka nga biseda a ka qenë vetëm nga kureshtja dhe shqetësimi se çka po flitet e jo që ju këto shënime do t’i përdornit si dëshmi në një proces gjyqësor?

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje është pyetje e përbërë.

Avokati: Ju te prokurori kur e keni dhënë dëshminë a i keni përdorur këto shënime për të cilat po flisni sot?

Dëshmitari A3: Saktësisht po ato çka i kam dëgjuar mirë dhe i kam shënuar i kam thënë edhe te dëshmia ime në hetuesi dhe prokurori.

Avokati: Kur keni dhënë deklaratën te prokurori a e keni pasur telefonit me vete, edhe pse prokurori ju ka njoftuar se mund të përdorni edhe dokumente , kjo a është e saktë?

Dëshmitari A3: po telefonin tim personal e kam pasur edhe gjatë dhënies së dëshmisë time.

Avokati: Këtë telefon që e keni pasur me vete a ka pasur qasje prokurori në këtë telefon?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje pasi nuk është relevante.

Gjykata kërkon të riformulohet pyetja e mbrojtësit.

Avokati: Gjatë marrjes në pyetje nga Prokurori a jeni shërbyer edhe me telefon?

Dëshmitari A3: Po siç po deklaroj këtu kam deklaruar edhe atje.

Avokati: A mund të themi se ju nuk e keni ditur dhe as që keni mundur të dini në ditën kur keni mbajtur shënime se ju do të ftoheni si dëshmitar?

Dëshmitari A3: Normalisht se nuk e kam ditur as që e kam pasur idenë.

Avokati: Nga dëshmia juaj shihet se ju jeni shqetësuar nga përmbajtja e bisedës, a mund të na tregoni se cila fjalë apo fjali ju ka sjellë shqetësime?

Dëshmitari A3: Nuk kam qenë i shqetësuar, shënimet i kam mbajtur arsyeja se pasi që shoku im më tha veç dëgjoj dhe unë i kam shënuar këto fjalë që i kam dëgjuar dhe nuk kam pasur ndonjë mendim tjetër.

Avokati: A do të thotë kjo se ju qetë i keni mbajtur ato shënime pa u shqetësuar fare?

Dëshmitari A3: Po ndoshta ndonjë emocion e kam pasur siç e kam edhe sot.

Avokati: Ju e përmendët fjalën emocin, a mund të na thoni të paktën një emocion që e keni pasur atë ditë?

Dëshmitari A3: Normal kam pasur emocion por jo diçka te veçantë.

Avokati: A e kuptoni fjalën emocion dhe a na thua një shembull kur ti emocionohesh?

Dëshmitari A3: E Kuptoj.

Avokati: Na thuaj cili ishte emocioni që ju shkaktoi biseda mes këtyre tre personave?

Dëshmitari A3: Nuk më kujtohet çfarë emocioni ka pasur, thjesht kureshtje për të dëgjuar.

Avokati: A d.m.th kjo se ju keni emocione të ndryshme?

Dëshmitari A3: Kur çfarë emocione të ndryshme, nuk po e kuptoj pyetjen.

Avokati: Sa lloj emocione i posedoni ju?

Gjykata nuk lejon këtë pyetje- dëshmitari nuk është i ftuar në cilësinë e ekspertit.

Avokati: A mund t’i thoni gjykatës se telefonin që ju e keni përdorur atë ditë mundëson që përmes tij të incizohen bisedat dhe të përdoret kamera?

Dëshmitari A3: Po telefoni im është me kamerë, është telefon “i mençur”.

Avokati: A më e lehtë ka qenë për ju të incizoni këtë bisedë apo të shënoni diçka nga biseda e dëgjuar?

Dëshmitari A3: Nuk më ka shkuar mendja thjesht kam shkruar disa prej fjalëve të dëgjuara.

Avokati: A e posedoni ende këtë telefon në të cilin keni shënuar diçka nga kjo biseda?

Dëshmitari A3: Jo.

Avokati: A të kujtohet prej kur nuk e posedoni këtë telefon?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata e lejon.

Dëshmitari A3: Nuk e di.

Avokati: A e dini kush e posedon këtë telefon sot?

Dëshmitari A3: Jo nuk e di.

Avokati: A mund të na tregoni se edhe herëve të tjera kur keni dalë në kafe a keni shënuar diçka në këtë telefon kur personat e tjerë kanë folur për politikë apo kanë përmendur emra të personalieve?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje sepse nuk është relevante.

Gjykata e lejon këtë pyetje.

Dëshmitari A3: Nuk jam fokusuar.

Avokati: Ju thatë se keni dëgjuar biseda të tilla në kafe të tjera por se nuk i keni shënuar ato. Pyetja ime është a mund të na thoni pse pikërisht këtë datë dhe këtë ditë keni menduar të shënoni diçka në telefon nga ato biseda që i ke dëgjuar?

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje. Dëshmitari “ nuk tha se biseda të tilla nuk i kam dëgjuar por nuk i kam shënuar” nuk mund të përgjigjet për diçka që më parë nuk e ka thënë.

Avokati: Ju i keni shënuar vetëm këto biseda dhe jo të tjerat?

Dëshmitari A3: Po nga kureshtja i kam shënuar.

Avokati: Nga kureshtja apo ju tha dikush tjetër t’i shënonit?

Dëshmitari A3: Po nga kureshtja i kam shënuar.

Avokati: Nga kureshtja apo ju tha dikush tjetër t’i shënonit?

Dëshmitari A3: po më tha shoku dëgjoj i dëgjova dhe i shënova në telefon dhe ia kam treguar.

Avokati: Kur i shënuat këto fjalë në telefon dhe i treguat shokut tuaj, përveç shokut tuaj a i keni treguar edhe dikujt tjetër që keni shënuar diçka nga kjo bisedë?

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje ngase është pyetje e konsumuar.

Avokati: A mund të themi se ju nuk keni mundur të përcillni bisedën kush me kë ka biseduar meqenëse keni qenë i kthyer me shpinë nga personat që po bisedonin lirshëm?

Dëshmitari A3: Po unë i kisha afër edhe pse isha i kthyer më shpinë nga ta.

Avokati: A mund të na thoni se kush e ka përmendur fjalën “formimi i ushtrisë”?

Dëshmitari A3: Jo nuk më kujtohet se e kam dëgjuar këtë.

Avokati: A mund të na thoni se kush e ka përmend emrin e Ukshin Hotit?

Dëshmitari A3: Po e ka përmendur z. Ramabaja.

Avokati: A mund të na thoni se kush e ka përmendur fjalinë “Lufta civile në Afrikë në shërbim të Amerikës”?

Dëshmitari A3: Po, z. Ramabaja.

Avokati: Këto fjalë që unë i thashë a i ka dëgjuar edhe personi që ju ka shoqëruar juve?

Dëshmitari A3: Disa i ka dëgjuar disa nuk ka mundur t’i dëgjojë.

Avokati: A është e saktë se ju nuk e keni dëgjuar se personat në tavolinë kanë thënë se duhet vrarë dikush qoftë me emër qoftë me mbiemër?

Dëshmitari A3: Jo.

Avokati: Pasi ju u larguat nga restoranti a të kujtohet ku keni shkuar?

Dëshmitari A3: Pasi kam dalë me shokun tim kemi vazhduar rrugët tona.

Avokati: A është hera e parë që ju keni përgjuar biseda të personave të panjohur?

Prokurori i Shtetit kundërshton.

Gjykata e lejon pyetjen.

Avokati: A është hera e parë që ju keni shënuar, keni mbajtur shënime të bisedave të personave të tjerë të panjohur?

Dëshmitari A3: Po kjo është hera e parë që kam shënuar thjesht nga kureshtja.

Avokati: A ju vjen keq se ju në deklaratën e juaj e keni dekonspiruar emrin e kolegut tuaj?

Prokurori i Shtetit e kundërshton këtë pyetje pasi që është çështje personale e tyre.

Mbrojtësi, avokati Ramiz Krasniqi dhe ju prokuror këtë po e konsideroni personale.

Gjykata e lejon pyetjen.

Dëshmitari A3: Po e kam përmendur pa asgjë të keqe.

Avokati: Ju thatë se kjo është hera e parë që ju mbani shënime nga biseda e personave të panjohur a mund t’i thoni gjykatës se cila ishte arsyeja që ju keni mbajtur shënime për këtë bisedë?

Gjykata e konstaton si pyetje e konsumuar dëshmitari është përgjigjur në këtë pyetje.

Avokati: A dëshironi që ta bindni gjykatën se ju keni përgjuar bisedën e personave të panjohur se rastësisht keni mbajtur në mend pamjet e tyre, se krejt rastësisht keni qëlluar me shokun tuaj në restorantin në fjalë?

Dëshmitari A3: Po rastësisht aty kemi qenë.

Avokati: A dëshironi ta bindni gjykatën se ju keni përgjuar bisedën e personave të panjohur se rastësisht keni mbajtur në mend pamjet e tyre se krejt rastësisht ju është zgjuar kureshtja nga bisedat me përmbajtje politike biseda siç e theksuat edhe ju qe është e zakonshme në Kosovë, e tëra ishte e rastësishme?

Prokurori i Shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Nasuf Hasani e kundërshton.

Gjykata e lejon këtë pyetje.

Dëshmitari A3: Po e përsëris ka qenë e rastësishme.

Avokati: A keni ndonjë përgatitje profesionale për përgjimin e qytetarëve, majorizimin e bisedave, monitorimin e bisedave dhe shërbimin e fjalëve?

Prokurori i Shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: A keni përgatitje profesionale se si duhet vepruar në pajtim me ligjin për shërbimet sekrete, për procedimin e bisedave të cilat i seleksiononim të rrezikshme për shoqërinë, pra a keni pasur njohuri pa u konsultuar me ndonjë ekspert se ku duhet të procedoni këto biseda?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: Cili ka qenë kontakti i parë me Prokurorin dhe si është bërë ky kontakt?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: Shënimet që i keni marrë a e keni ditur se te cili prokuror do t’i procedoni?

Prokurori i shtetit e kundërshton këtë pyetje.

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati: Kur për herë të parë keni dëgjuar për prokurorin Sylë Hoxha?

Gjykata nuk e lejon këtë pyetje.

Avokati Ramiz Krasniqi nuk ka pyetje të tjera për dëshmitarin.

Ftohet i akuzuari Sadri Ramabaja për të bërë pyetje për dëshmitarin nëse ka pyetje.

I akuzuari Sadri Ramabja ka pyetje.

Sadri Ramabaja: Dëshmitarë a e keni lexuar fjalën time të publikuar në Korrik të vitit 2018 që ka pasur për objekt trajtimin e tri temave të cilat janë diskutuar pikërisht në “ Villën Panorama” atë ditë?

Dëshmitari A3: jo.

Sadri Ramabaja: Ju edhe sot e pohuat se e keni dëgjuar emrin e Ramush Haradinajt kryeministrit aktual në kontekst të bisedës në emër të ambasadorit shqiptar në Suedi Petrit Bushati, a është kjo e saktë?

Dëshmitari A3: Unë nuk e thashë kështu, unë e thashë ashtu siç edhe e kam dëgjuar.

Sadri Ramabaja: Ju keni dëgjuar edhe emra të tjerë një pjesë e tyre janë procedurë sot këtu që kanë pasur objekt temën e Kumanovës të majit të vitit 2015 a e keni dëgjuar emrin e Sami dhe Ukshin Hoti që e kam përmendur aty?

Dëshmitari A3: Jo.

Sadri Ramabaja: A e keni dëgjuar emrin e Ali Ahmetit mikut tim?

Dëshmitari A3: Jo.

Sadri Ramabaja: Po ju e pohoni se keni dëgjuar termin “Lufta Speciale në Afrikë në shërbim të Amerikës”, kjo a është e saktë?

Dëshmitari A3: Po diçka kështu ka qenë “Lufta Civile në Afrikë në shërbim të Amerikës”.

Sadri Ramabaja: Në këtë kontekst a e keni dëgjuar edhe emrin e prof. Sokol Lazi?

Dëshmitari A3: Jo.

I akuzuari Sadri Ramabaja komenton se si dëshmitari A2 dhe dëshmitari A3 konfirmojnë një pjesë të madhe tëb isedës sime lidhur me dy tema qendrore me ndihmat që i kam dërguar UÇK-së dhe njerëzit që më kanë ndihmuar në Tiranë dhe tema e dytë rasti i Kumanovës, dhe kjo e tërë pjesa tjetër është e sajuar në shërbim të prokurorisë ose të atyre që kanë sajuar këtë porosi dhe se gjykata ka mundur lehtë ta verifikojë këtë rast.

I akuzuari Sadri Ramabaja nuk ka pyetje të tjera.

Ftohet avokati Nikë Shala i të akuzuarit Sabit Berisha, për të bërë pyetje.

Avokati Nikë Shala i të akuzuarit Sabit Berisha nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Ftohet i akuzuari Sabit Berisha për të bërë pyetje.

I akuzuari Sabit Berisha nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Ftohet avokati Fahri Sadrija i të akuzuarit Bexhet Luzha për të bërë pyetje.

Shkrimi vijon nesër…

https://paparaci.com/2021/10/22/skandal-agjente-te-aki-se-deshmitare-te-rrejshem-permenden-thaci-veseli-kurti-e-konjufca/

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci