Polemika publike mes juristit Bardhyl Hasanpapaj dhe publicistit Veton Surroi rreth aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes Vjosa Osmani po vazhdon me replika të reja.
Pasi Surroi iu përgjigj analizës së Hasanpapajt me pesë kundërargumente, ky i fundit ka reaguar sërish, duke publikuar një sqarim të ri në pesë pika, ku mbron interpretimin e tij juridik dhe kundërshton vlerësimet e publicistit.
Hasanpapaj, i cili është Dr. sc., profesor universitar, jurist dhe analist i njohur, thotë se mbetet plotësisht pas analizës së tij juridike dhe saktësisë së saj, duke argumentuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ruan qartë dallimin ndërmjet një akti që nuk prodhon efekt juridik dhe një akti që përbën shkelje të Kushtetutës.
Sipas tij, pikërisht mbi këtë dallim është ndërtuar argumentimi i tij, ndërsa shton se edhe nëse ky dallim juridik lihet mënjanë për qëllime të debatit publik, argumenti politik i Surroit mbetet i paqëndrueshëm.
Në reagimin e tij, Hasanpapaj kujton se për muaj të tërë përfaqësuesit e shumicës qeverisëse e kishin trajtuar publikisht 6 marsin si afatin e fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
“Vetëm kur ai afat po afrohej dhe vullneti real për zgjidhje mungonte, filloi të ndërtohej narrativi se afati mund të shtyhej ose të relativizohej. Kjo nuk ishte pasojë e ndonjë ndryshimi në Kushtetutë, por e një ndryshimi në interpretimin politik të saj”, argumenton ai.
Sipas Hasanpapajt, pikërisht kjo situatë krijoi pasiguri kushtetuese dhe politike, ndërsa thekson se nuk u artikulua asnjë alternativë tjetër bindëse, institucionalisht e qëndrueshme dhe kushtetutshmërisht më e sigurt për adresimin e situatës së krijuar sesa veprimi i Presidentes Osmani.
Ai vlerëson se në ato rrethana mosveprimi nuk paraqitej si një zgjidhje më e përgjegjshme sesa veprimi institucional i Presidentes.
Hasanpapaj argumenton gjithashtu se dekreti presidencial nuk e mbylli debatin kushtetues, por përkundrazi e solli atë para autoritetit të vetëm që ka kompetencën për interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
“Dekreti ofroi një rrugë konkrete institucionale për daljen nga paqartësia dhe për marrjen e një përgjigjeje definitive nga Gjykata Kushtetuese”, thekson ai.
Në pikën e fundit të reagimit, Hasanpapaj vlerëson se qartësia kushtetuese që ekziston sot është rezultat i procesit të nisur përmes dekretit presidencial.
“Qartësia kushtetuese që sot ekziston nuk erdhi pavarësisht dekretit, por përmes procesit kushtetues që dekreti e vuri në lëvizje. Për këtë arsye, dekreti mbetet akti që mundësoi zgjidhjen përfundimtare të dilemës kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, shkruan ai.
Dr. sc. Bardhyl Hasanpapaj është profesor universitar, jurist dhe analist, ndërsa aktualisht është kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me numrin 34 në listën zgjedhore të kësaj partie.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e Bardhyl Hasanpapajt.
