Analisti politik Blerim Vela ka publikuar një analizë krahasuese të rezultateve të zgjedhjeve, duke tentuar të masë më saktë ndryshimin real të votave të partive politike, krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit.
Duke aplikuar modelin e zbritjes së pjesëmarrjes në votime prej 19,92% të dielën, krahasuar me votimet e 28 dhjetorit të vitit 2025, Vela ka thënë se rezulton se vetëm dy subjekte politike janë rritur: LDK-ja dhe AAK-ja.
“Për te kuptuar sa vota kanë humbur/shtuar partitë krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, duhet të aplikohet fillimisht rënia prej 19.92% në daljen e votuesve tek secila parti”, shkroi Vela, ish-shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, në një postim në platformën X.
Sipas përllogaritjeve të Velës, me zbritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje për 19,92% dhe nëse subjektet politike do të ruanin të njëjtin nivel mobilizimi sikurse në zgjedhjet e kaluara, atëherë LDK-ja del se do t’i merrte 95,388 vota.
Por, rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit tregojnë një tjetër pasqyrë, analizoi Vela.
Ai tha se LDK-ja e ka ndryshuar trendin dhe kjo supozohet se është meritë e Vjosa Osmanit dhe të ashtuquajturit “bashkim i madh i LDK-së”.
LDK-ja mori 122 mijë vota në votimet e kësaj të diele, 27 mijë më shumë sesa do t’i siguronte me trendin e zgjedhjeve të kaluara (dhjetorit, 2025) duke aplikuar rënien e pjesëmarrjes për 19,92%.
🗳️ Per te kuptuar sa vota kane humbur/shtuar partite krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, duhet te aplikohet fillimisht renia prej 19.92% ne daljen e votuesve tek secila parti.
Sipas kesaj del qe partite duhet te kishin kete rezultat:
LVV: 346887
PDK: 147545
LDK: 95388
AAK: 39778 pic.twitter.com/6myJGwA4sX— Blerim Vela (@Blerim_Vela) June 8, 2026
Sipas këtij modeli përllogaritës, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti rezultoi se ka humbur “realisht” 47,735 vota.
PDK i ka humbur 325 vota, sipas këtij modeli të përllogaritjes, ndërsa AAK i ka shtuar 10,139 sosh, tregon analiza e Velës.
