Arlind Sadiku, drejtor i sportit në Artmotion, nga Meksika ka dhënë detajet e fundit në lidhje me hapjen e Kampionatit Botëror 2026, që do të mbahet në këtë shtet, në Kanada dhe në ShBA.
Në një lidhje direkte në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, Sadiku tha se pritet që ky kampionat të jetë më i miri i organizuar ndonjëherë.
Megjithatë, ankesat më të mëdha janë për çmimet e biletave për tifozët, të cilat shkojnë deri në mbi 10 mijë euro.
“Janë të çmendur pas futbollit. Isha pranë stadiumit Azteca, ku Meksika po i zhvillonte përgatitjet e fundit para ndeshjes hapëse të kampionatit me Afrikën e Jugut. Tifozët nuk janë shumë optimistë me kombëtaren e tyre, meqë kjo përbërje nuk ka shumë cilësi, siç kishte në të kaluarën”, tha Sadiku.
Ai shtoi se më së shumti ndeshje të këtij kampionati do të zhvillohen në ShBA.
Ndër të tjera, gazetari Sadiku tha se në Meksikë ka takuar një shqiptar nga Malisheva, i cili jeton dhe vepron atje.
Duke folur për sigurinë, ai tha se ka shumë “hajni” në këtë vend, dhe se siguria, sipas tij, nuk është shumë e lartë.
Arlind Sadiku tha se Franca, Argjentina dhe Spanja janë skuadrat favorite për ta fituar Kampionatin Botëror.
Ndërkaq, ai tregoi edhe për telashet me të cilat u përball në kufirin meksikan për shkak të pasaportës së Kosovës.
“Pata problem në pikën kufitare me pasaportën e Kosovës, pasi Meksika nuk e njeh shtetin tonë, dhe nuk figuronte fare shteti i Kosovës kur skenohej pasaporta. Por, pas më tepër se gjysmë ore kontroll, u mblodhën krerët e policisë për të parë se çfarë po ndodh… megjithatë, duke e pasur vizën speciale amerikane për Kampionatin Botëror, pas më tepër se gjysmë orë, më lejuan të hyj në Meksikë”, deklaroi Sadiku.
