Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) njofton të gjithë punëtorët e RTK-së se sot është realizuar pagesa e plotë e pagave, kërkesë kjo e sindikatës sonë për të cilën protestuam të martën e kësaj jave.
Duke qenë se kërkesa për pagesën e pagave është përmbushur, SPERTK njofton se protesta e paralajmëruar anulohet, pasi qëllimi sindikal për të cilin u organizua është arritur.
Ky është rezultat i qëndrueshmërisë, unitetit dhe solidaritetit të punëtorëve të RTK-së, të cilët dëshmuan se mbrojtja e të drejtave të tyre është mbi çdo interes tjetër.
Falënderojmë të gjithë kolegët për mbështetjen, solidaritetin dhe besimin e dhënë ndaj sindikatës. Angazhimi dhe uniteti juaj dëshmuan se zëri i punëtorëve është i fuqishëm kur jemi bashkë.
Mirënjohje të veçantë shprehim për të gjitha mediet që përcollën me profesionalizëm shqetësimet dhe kërkesat tona, për Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, për Sindikatën e KEK-ut, për organizatat e shoqërisë civile, si dhe për European Centre for Press and Media Freedom, të cilat na mbështetën publikisht në përpjekjen tonë të drejtë për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve të RTK-së.
SPERTK thekson se angazhimi ynë sindikal nuk përfundon me kaq. Përkundrazi, kjo është dëshmi se organizimi sindikal, solidariteti dhe veprimi i përbashkët japin rezultate konkrete në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve.
Në ditët në vijim do të angazhohemi për realizimin e pagës së 13-të dhe për rritjen e shumës së shujtës ditore, si kërkesa të rëndësishme për përmirësimin e mirëqenies dhe pozitës së punëtorëve të RTK-së.
SPERTK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të të gjithë punëtorëve dhe do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi, vendosmëri dhe transparencë në përfaqësimin e tyre.
