Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në ora 09:00 të ditës së sotme, procesi i verifikimit dhe numërimit të votave është duke vazhduar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku janë proceduar 214 nga gjithsej 262 vendvotime në këtë komunë.
Sipas të dhënave zyrtare, në nivel vendi janë procesuar 2,450 nga 2,498 vendvotime, që përbën 98.08% të totalit të tyre në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit.
KQZ ka bërë të ditur se procesi në disa komuna është përmbyllur sipas kalendarit të përcaktuar:
Të hënën, më 8 qershor, deri në ora 24:00, është përfunduar numërimi në Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh dhe Mamushë.
Të martën, më 9 qershor, deri në ora 16:00, procesi është përmbyllur në Zubin Potok, Zveçan, Kllokot, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut.
Ndërsa të mërkurën, më 10 qershor, deri në ora 16:00, janë përfunduar Deçani, Dragashi, Kamenica, Graçanica, Klina, Vitia, Kaçaniku, Rahoveci dhe Leposaviqi.
Në po të njëjtën ditë, deri në ora 24:00, është përmbyllur procesi në Istog, Skenderaj, Malishevë, Drenas, Lipjan, Pejë dhe Podujevë.
Të enjten, më 11 qershor, deri në ora 16:00, është përfunduar numërimi në Fushë Kosovë, Ferizaj, Suharekë, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë.
Ndërsa të premten, më 12 qershor, është përmbyllur procesi në Gjilan dhe Prizren.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se procesi po vazhdon në mënyrë të rregullt deri në përmbylljen e plotë të të gjitha vendvotimeve në Prishtinë./
