Hetimi i “dy kokave kriminale” të lidhura me trafikimin e drogës dhe pastrim parash në Shqipëri, Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku, ka nxjerrë në dritë edhe emrin e biznesmenit të njohur Samir Mane. Por kjo nuk ishte hera e parë. Emri i Manes ishte kyç edhe në arrestimin e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Emri i biznesmenit Samir Mane, i njohur si një prej figurave më të fuqishme të biznesit shqiptar, është shfaqur në dy prej dosjeve më të rënda dhe më të famshme të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK), duke e vendosur atë në qendër të dyshimeve që prekin njëkohësisht botën e krimit të organizuar, projektet multimilionëshe të ndërtimit dhe marrëdhëniet me nivelet më të larta të politikës shqiptare.
Mirëpo nuk është hera e parë që Mane përmendet nëpër dosje hetimore ndaj bandave të krimit në Shqipëri. Ai është përmendur në dosjen e grupeve kriminale të drejtuara nga Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku, të cilët SPAK i konsideron figura kyçe në aktivitetet e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave.
Emri i Manes ndodhet edhe në dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, ku prokuroria ka ngritur akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në të dyja këto hetime, emri i Samir Manes përmendet në komunikime dhe episode që SPAK i ka konsideruar të rëndësishme për zbardhjen e skemave të dyshuara.
Ndërkaq, sipas materialeve hetimore të publikuara, në dosjen e Hamzait dhe Koçekut janë dokumentuar biseda ku diskutohet për projekte ndërtimore në zonën turistike të Palasës. Hetuesit kanë identifikuar komunikime në të cilat personat nën hetim flasin për takime dhe negociata me Samir Manen lidhur me përfshirjen e tokave në projekte rezidenciale të lidhura me kompleksin Green Coast.

Një pjesë e konsiderueshme e bisedave të hetuara nga SPAK-u lidhen me shuma të mëdha financiare. Në komunikimet e përgjuara, personat nën hetim diskutojnë pagesa që sipas tyre arrinin deri në 3 milionë euro për përfshirjen e tokave në projektet e zhvillimit turistik në bregdetin shqiptar. Prokuroria evidenton se në këto komunikime Samir Mane përmendet si personi me të cilin negociohej realizimi i marrëveshjes.
Sipas SPAK-ut, në një nga bisedat Luçiano Koçeku informon Alfredo Hamzain se kishte zhvilluar bisedime me Samir Manen dhe ndërmjetës të tjerë, ndërsa në komunikime të mëvonshme flitet për marrëveshje që do të përfshinte ndërtimin e dhjetëra vilave dhe një hoteli. Hetuesit evidentojnë gjithashtu diskutime për pagesa shtesë dhe përfitime ekonomike që lidhen me këtë projekt.
Rëndësia e këtyre komunikimeve qëndron te fakti se personat që shfaqen në to nuk janë biznesmenë të zakonshëm, por individë që SPAK i konsideron pjesë të strukturave të krimit të organizuar të përfshira në trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pastrim të të ardhurave kriminale. Pikërisht për këtë arsye, çdo kontakt apo negociatë e dokumentuar në dosje ka marrë vëmendje të veçantë nga hetuesit.
Por dosja e Palasës nuk është e vetmja ku përmendet emri i Samir Manes.
Në hetimin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, SPAK ka ngritur dyshime për ekzistencën e një marrëdhënieje të favorshme mes çiftit politik dhe biznesmenit. Sipas prokurorisë, ekzistojnë prova se Meta dhe Kryemadhi kanë pranuar ose kanë qenë të gatshëm të pranojnë përfitime pasurore në këmbim të ndërhyrjeve politike dhe institucionale në favor të interesave ekonomike të Manes.
Në këtë dosje përmenden komunikime që lidhen me ndryshime të ligjit minerar, çështje të tregut të telekomunikacionit dhe ndërhyrje pranë institucioneve shtetërore. SPAK pretendon se në disa raste janë diskutuar amendime ligjore që do të ndikonin drejtpërdrejt në interesat e kompanive të lidhura me biznesmenin.
Një nga episodet më të komentuara të dosjes lidhet me një vilë në kompleksin rezidencial “Rolling Hills”. Sipas SPAK-ut, kjo vilë përbënte një përfitim të mundshëm për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Prokuroria argumenton se edhe pse transaksioni nuk u finalizua, vetë pranimi i premtimit përbën element të veprës penale të korrupsionit. Në komunikimet e përfshira në dosje përmenden biseda mes Kryemadhit dhe Manes për këtë pronë, ndërsa SPAK i konsideron këto komunikime pjesë të provave që po analizohen në proces.
Gjithashtu, hetuesit kanë përfshirë në dosje edhe pretendime për transaksione financiare, udhëtime, dreka jashtë vendit dhe përfitime të tjera që sipas tyre mund të kenë shërbyer për të forcuar marrëdhëniet mes biznesmenit dhe figurave politike.
Për herë të parë në historinë e tranzicionit shqiptar, emri i një prej biznesmenëve më të mëdhenj të vendit shfaqet njëkohësisht në hetime që prekin trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash, zhvillime multimilionëshe në bregdet dhe akuza për korrupsion në nivelet më të larta të shtetit.
Edhe pse deri më tani ndaj Samir Manes nuk është ngritur ndonjë akuzë penale dhe ai vetë ka deklaruar se nuk ka asgjë për të komentuar përtej faktit se nuk është nën akuzë, përfshirja e emrit të tij në këto dosje ka shtuar interesin publik dhe ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi lidhjet mes pasurisë së madhe, politikës dhe personave që drejtësia në Shqipëri i konsideron pjesë të botës së krimit.
