Faza e grupeve në Kampionatin Botëror 2026 po i afrohet fundit, ndërsa gara për një vend në fazën e eliminimit është intensifikuar. Për herë të parë në historinë e këtij turneu, 48 kombëtare po marrin pjesë në garë, të ndara në 12 grupe me nga katër skuadra secila. Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja, si bashkë-organizatore, kishin statusin e bartësve në short.
Sipas rregullores, 12 fituesit e grupeve dhe 12 ekipet e renditura në vendin e dytë kualifikohen automatikisht për në raundin e 32-shes. Atyre do t’u bashkohen tetë ekipet më të mira që janë renditur në vendin e tretë, bazuar në pikët e grumbulluara dhe diferencën e golave në përfundim të fazës së grupeve. Në total, 16 kombëtare do të eliminohen pas përfundimit të kësaj faze.
Disa prej skuadrave që tashmë kanë siguruar vendin në fazën e eliminimit janë: Zvicra, Kanadaja dhe Bosnja e Hercegovina nga Grupi B; Gjermania, Bregu i Fildishtë dhe Ekuadori nga Grupi E; si dhe Holanda, Japonia dhe Suedia nga Grupi F.
Turneu filloi në stadiumin Azteca në Mexico City, vendi ku u zhvilluan ndeshje historike në Botërorin e vitit 1986. Meksika dhe Kanadaja do të organizojnë nga 13 ndeshje secila, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të presin 78 ndeshje. Nga çerekfinalet e tutje, të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, përfshirë finalen e madhe që do të mbahet në stadiumin MetLife në New Jersey.
Ky format i ri i garës, që përfshin 48 ekipe, shënon herën e parë që Kampionati Botëror fillon me një raund të 32-shes. Përpjekjet për të siguruar kualifikimin vazhdojnë ndërsa skuadrat përpiqen të grumbullojnë pikët e nevojshme për të shmangur eliminimin e hershëm.
Burimi: independent.co.uk
