Forcat elitare të sigurisë në Irak kanë kryer një operacion të gjerë në orët e hershme të mëngjesit në Zonën e Gjelbër dhe në disa lagje të Bagdadit. Sipas burimeve të sigurisë, operacioni është realizuar nga Shërbimi i Kundërterrorizmit, duke çuar në arrestimin e disa politikanëve, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë nën dyshimet për korrupsion.
Agjencia Irakiane e Lajmeve raportoi se arrestimet përfshijnë anëtarë të parlamentit, të cilëve u ishte hequr imuniteti, si dhe zyrtarë emrat e të cilëve janë përmendur në dëshmi të mëparshme. Këto veprime bazohen në deklaratat e dhëna nga Adnan al-Jumaili, zëvendësministër i naftës, i cili u arrestua muajin e kaluar për akuza të ngjashme.
Deri në këto momente, nuk ka pasur një deklaratë zyrtare nga qeveria irakiane apo nga forcat e sigurisë lidhur me këto arrestime. Identiteti i personave të ndaluar nuk është bërë publik në mënyrë zyrtare, ndërsa situata mbetet në zhvillim.
Kryeministri i ri i Irakut, Ali al-Zaidi, është zotuar se do të luftojë korrupsionin dhe keqmenaxhimin që kanë prekur vendin për dekada. Autoritetet kanë konfiskuar gjithashtu rreth 86 milionë dollarë në para të gatshme gjatë këtij muaji, të cilat dyshohet se janë pjesë e çështjes kundër al-Jumailit.
Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi se shtatë persona janë arrestuar të dielën, përfshirë pesë anëtarë të parlamentit. Sipas të njëjtit burim, disa prej të arrestuarve i përkasin bllokut politik të ish-kryeministrit Mohammed Shia al-Sudani.
Në zgjedhjet parlamentare të nëntorit, blloku i al-Sudanit fitoi numrin më të madh të vendeve, por ai nuk u kthye në postin e kryeministrit. Ai u tërhoq pas një ngërçi politik brenda "Coordination Framework", një grup i partive shiite të lidhura me Iranin, të cilat nuk arritën të pajtohen për kandidatin e tyre për kryeministër.
Burimi: aljazeera.com
