Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA) në Britani ka shpallur një grup rregullash të reja që do të detyrojnë firmat e kriptomonedhave të provojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj rreziqeve të tregut. Këto rregulla, të cilat do të hyjnë në fuqi në tetor të vitit të ardhshëm, kërkojnë që kompanitë të mbajnë kapital rezervë për të përballuar humbjet nga asetet e rrezikshme dhe të kryejnë teste vjetore të stresit.
David Geale, drejtori ekzekutiv i FCA për pagesat dhe financat digjitale, deklaroi se kjo është korniza e parë gjithëpërfshirëse rregullatore për kriptomonedhat në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tij, rregullat mbulojnë mënyrën se si firmat tregtojnë, mbajnë asetet, shërbejnë konsumatorët dhe menaxhojnë rrezikun. Geale shtoi se paketa aplikon parimet bazë të përdorura në shërbimet e tjera financiare për të siguruar rezultate të ngjashme rregullatore.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, kompanitë do të kenë mundësinë të përcaktojnë vetë nivelin e rrezikut në bilancet e tyre, gjë që do të diktojë sasinë e kapitalit që duhet të mbajnë. Për dallim nga bankat e mëdha, firmat e kriptomonedhave do t’i kryejnë vetë testet e stresit bazuar në vlerësimet e brendshme, të cilat më pas do t’i dorëzohen FCA-së çdo vit. Pas kërkesave nga industria, rregullatori ka ulur kërkesat e kapitalit për disa asete, siç janë stablecoin-et e lidhura me monedha fiat.
FCA pranon se rregullat nuk i eliminojnë plotësisht rreziqet për konsumatorët, të cilët ende mund të humbin investimet e tyre. Megjithatë, autoriteti synon të frenojë sjelljet e dëmshme dhe praktikat e dyshimta të biznesit. Geale theksoi se regjimi i ri adreson dëmet ndaj të cilave janë ekspozuar konsumatorët nga veprimtaria e parregulluar, duke i dhënë industrisë një bazë më të qëndrueshme për zhvillim.
Dan Coatsworth, kreu i tregjeve në platformën e investimeve AJ Bell, paralajmëroi se konsumatorët duhet të mbeten të kujdesshëm. Ai vuri në dukje se kriptomonedhat shpesh lidhen me skema për fitime të shpejta dhe portretizohen në rrjetet sociale si një mënyrë e lehtë për të bërë para. Sipas tij, ndonëse rregullimi ndihmon në reduktimin e mashtrimeve dhe promovimeve mashtruese, ai nuk e eliminon rrezikun në tërësi.
Burimi: theguardian.com
