Prokurori Armend Hamiti e ka liruar në procedurë të rregullt Flamur Berishën, një person të dyshuar për tentim-vrasje, për një rast të ndodhur në vitin 2023 në Prishtinë.
Berisha u arrestua në qershor të këtij viti pas gati tre vjetësh në arrati, por aktualisht ndodhet në liri. Ai dyshohet se më 29 shtator të vitit 2023, në kafenenë “Pasarela” në Prishtinë, e kishte plagosur me katër plumba Dëfrim Kuqin. Sipas hetimeve, motivi i sulmit dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje e mëhershme mes tyre.
Pas arrestimit rreth dy javë më parë, prokurori i rastit, Armend Hamiti, ka urdhëruar caktimin e një ekzaminimi psikiatrik për të dyshuarin, i cili është paraparë të zhvillohet pas dy javësh. Ndërkohë, ai është liruar nga ndalimi.
Lirimi i të dyshuarit ka nxitur reagimin e palës së dëmtuar.
Mbrojtja e viktimës ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar shqyrtimin e veprimeve të gjyqtares së procedurës paraprake lidhur me moscaktimin e masës së paraburgimit.

Në një deklaratë për Paparacin të mërkurën, avokatja Teuta Zhinipotoku fillimisht tha se ankesën në Gjykatë e ka dorëzuar mbi bazën e informatave që posedon ajo dhe klienti i saj.
“Ne nuk kemi marrë asnjë shkresë zyrtare, asnjë njoftim, as nga Prokuroria e as nga Gjykata”, tha Zhinipotoku.
Pas interesimit të Paparacit, në një telefonatë tjetër më vonë gjatë të mërkurës, avokatja Zhinipotoku lajmëroi për një bisedë të zhvilluar me prokurorin Armend Hamitin, që ishte prokuror kujdestar në ditën e arrestimit të të dyshuarit.
Sipas avokatës, prokurori Armend Hamiti i konfirmoi asaj se i dyshuari ndodhet në liri.
Hamiti, që është prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Prishtinës, ka urdhëruar dërgimin e të dyshuarit për ekzaminim psikiatrik i cili është caktuar “pas dy javësh”, sipas avokatës së viktimës.
“Sapo bisedova me prokurorin Hamiti, i cili më konfirmoj se nuk ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, paraburgim ndaj të dyshuarit, por ka urdhëruar dërgimin e tij për ekzaminim psikiatrik pas dy javësh”, tha avokatja Zhinipotoku për Paparacin.
Prokurori Armend Hamiti, i kontaktuar nga Paparaci të mërkurën përmes telefonit, tha se ndodhej në një takim dhe i sugjeroi redaksisë t’i drejtohej Zyrën për Komunimin në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Një zëdhënëse e Prokurorisë i konfirmoi Paparacit se prokurori ka urdhëruar ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit. Konfirmoi se nuk kërkoi nga Gjykata caktimin e ndonjë mase sigurie ndaj të arratisurit nga drejtësia për gati tre vjet.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se në rastin konkret, pas sigurimit të provave relevante dhe vlerësimit të rrethanave të çështjes, prokurori i rastit ka urdhëruar ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të sqarimit të rrethanave që lidhen me gjendjen e tij mendore dhe që janë relevante për procedurën penale”, tha Prokuroria në përgjigje.
Sipas zëdhënëses së Prokurorisë, ndërsa i dyshuar ndodhet në liri, prokurori ka proceduar me përpilimin dhe ngritjen e aktakuzës ndaj të pandehurit.
“Sa i përket masave të sigurimit, pas vlerësimit të fakteve dhe provave të administruara, prokurori i rastit ka konstatuar se nuk kanë ekzistuar kushtet ligjore për të kërkuar caktimin e ndonjë mase të sigurimit, përfshirë paraburgimin apo masa të tjera, dhe ka proceduar me përpilimin dhe ngritjen e aktakuzës”, tha ajo.
Caktimi i masave të sigurimit nuk është “automatik, por bëhet vetëm kur ekzistojnë kushtet ligjore dhe kur ato janë të domosdoshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale”, sipas Prokurorisë.
“Vlerësimi për kërkimin ose jo të këtyre masave është kompetencë e prokurorit të rastit dhe mbështetet në faktet, provat dhe rrethanat konkrete të secilës çështje, në përputhje me parimin e proporcionalitetit”, tha Prokuroria. /Paparaci.com
