“Nuk po themi që ju s’keni të drejtë për ta përdorur, ajo çfarë po themi ne, për shkak të shqetësimit që kanë konsumatorët, për shkak të sigurisë ushqimore, për shkak të nevojës për të dokumentuar pajisje, ekspertë, kimistë, duhet me pasë formula, kontrolle të prodhimit…”, tha Muja.
Pas kontrollit në qumështoren Vita, ku sipas raportit fillestar të inspektimit janë konstatuar produkte me vaj palme, Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë lajmin e publikuar nga mediat për këtë çështje, duke e paraqitur përdorimin e vajit të palmës si të ndaluar dhe të dëmshëm.
Por ministri i Bujqësisë, Armend Muja, në Pressing të T7, tha se nuk është kundër përdorimit të vajit të palmës dhe se ai nuk është i ndaluar.
Sipas tij, shqetësimi lidhet me dokumentimin, regjistrimin dhe kontrollin e përdorimit të tij në produkte ushqimore.
“Nuk po themi që ju s’keni të drejtë për ta përdorur, ajo çfarë po themi ne, për shkak të shqetësimit që kanë konsumatorët, për shkak të sigurisë ushqimore, për shkak të nevojës për të dokumentuar pajisje, ekspertë, kimistë, duhet me pasë formula, kontrolle të prodhimit…”, tha Muja.
Ai deklaroi se ka kërkuar dokumentacion nga qumështorja Vita për autorizimin e përdorimit të vajit të palmës, qumështit pluhur dhe produkteve të përziera.
“Kam kërkuar a kanë autorizim për përdorimin e vajit të palmës, qumështit pluhur, të përzier dhe më është thënë jo, nuk është plotësuar autorizimi dhe regjistrimi, kaq”, tha ministri.
Muja shtoi se kompanisë i është dhënë kohë për t’u regjistruar, por sipas tij ka pasur hezitim.
“Ju kemi dhënë kohë për t’u regjistruar, ka pasur hezitim”, deklaroi Muja.
Ai theksoi se përdorimi i vajit të palmës nuk është i ndaluar, por kërkohet që procesi i prodhimit të jetë i regjistruar dhe i kontrolluar.
