Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 2 vjet burgim ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Ymer Dragusha, pasi ai pranoi fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në një nga rastet më të mëdha të hetuara nga Prokuroria Speciale, ku në bankën e të akuzuarve vazhdon të jetë edhe ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Vendimi ndaj Dragushës u shpall pasi ai arriti marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, duke pranuar përgjegjësinë për katër vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Dragusha fitoi edhe statusin e dëshmitarit bashkëpunues në procedurën penale që vazhdon ndaj të akuzuarve të tjerë.
Sipas aktgjykimit, Dragusha u dënua me një vit burgim për pikën e parë të aktakuzës, ndërsa për tri pikat e tjera me nga tetë muaj burgim.
Pas bashkimit të dënimeve, gjykata shqiptoi dënim unik prej dy vjetësh burgim, i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Rasti ka të bëjë me një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2024, sipas së cilës Nagip Krasniqi, në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha si ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit dhe Isuf Zejna, përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C.”, dyshohet se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej rreth 37 milionë eurosh.
Sipas Prokurorisë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Krasniqi akuzohet edhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Ndërkaq, Zejna akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ndryshe nga Dragusha, i cili pranoi fajësinë dhe u dënua, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna kanë deklaruar pafajësinë dhe gjykimi ndaj tyre vazhdon.
Në një fazë të procedurës, Gjykata Themelore kishte pushuar një pjesë të aktakuzës ndaj Krasniqit dhe kishte rikualifikuar veprat penale, por Gjykata e Apelit e ndryshoi këtë vendim.
Apeli vendosi që procedura penale ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut të vazhdojë për pesë vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, katër prej tyre në bashkëkryerje, si dhe për veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare, duke konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”. Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 prill 2025, kishte marrë vendim, me të cilin ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, duke hudhur aktakuzën dhe pushuar procedurën penale për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Kurse, për pikat tjera të aktakuzës kishte rikualifikuar veprat penale në një vepër penale në vazhdim “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktvendimin e Themelores, duke vendosur që procedura penale ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për pesë vepra penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, katër prej tyre në bashkëkryerje, si dhe një vepër penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, të vazhdohet sipas dispozitave të procedurës penale të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor. Me këtë vendim, Apeli konfirmoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në seancën fillestare të mbajtur më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. Bashkë me ta në këtë rast aktakuza e ngarkon edhe Ymer Dragushën, mirëpo i njëjti arriti marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.
Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”. Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.
