Eksperti i ekonomisë dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, i është drejtuar publikisht ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke e kritikuar për, sipas tij, standarde të dyfishta dhe mungesën e një rregulloreje për standardizimin e produkteve me origjinë shtazore dhe bimore.
Reagimi i Mulajt vjen pak ditë pasi, me urdhër të ministrit Armend Muja, u krye një inspektim i paparalajmëruar në qumështoren “Vita”, ku 25 inspektorë zhvilluan kontrolle. Pas këtij inspektimi, qumështorja “Vita” u mbyll me vendim të vetë kompanisë.
Në postimin e tij në Facebook, Mulaj thotë se kishte blerë dy produkte importi që shiten çdo ditë në marketet e Kosovës dhe që konsumatorët i blejnë duke menduar se janë produkte të qumështit.
Sipas tij, produkti i parë, “Halta”, nuk përmban asnjë gram qumësht të lopës, por është i përbërë kryesisht nga vaj palme, qumësht pluhur dhe përbërës të tjerë.
Ndërkaq, për produktin e dytë, i cili në etiketë figuron si “Schmand”, ndërsa në gjuhën shqipe është përkthyer si “ajkë e freskët”, Mulaj thotë se vetëm 18 për qind e përbërjes është me bazë qumështi të lopës, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga vaj palme dhe qumësht pluhur.
Ai thekson se këto produkte janë deri në 70 për qind më të lira se produktet vendore të prodhuara me qumësht të lopës.
“Mungesa e një rregulloreje të qartë bën që produkte të tilla të shiten si produkte të qumështit, duke i mashtruar konsumatorët. Për më tepër, përbërësit janë të shkruar me shkronja aq të vogla sa mezi lexohen edhe me zmadhues”, ka shkruar Mulaj.
Përveç kësaj, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka ngritur edhe një sërë pyetjesh për ministrin Muja. Ai ka pyetur pse Kosova ende nuk ka një rregullore për standardizimin e produkteve me origjinë shtazore dhe bimore, nëse laboratori i testimit në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë është i akredituar dhe pse prodhuesit kosovarë ende nuk kanë mundësi të eksportojnë produkte me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Evropian dhe tregje të tjera.
Ish-ministri i Tregtisë ia bën disa pyetje të rënda Armend Mujës
Mulaj ka kërkuar përgjigje edhe për vazhdimin e importit të zallit nga Serbia dhe Shqipëria, ndërsa, sipas tij, gurthyesit vendorë përballen me vështirësi për vazhdimin e kontratave të qirasë.
Po ashtu, ai e ka pyetur ministrin pse nuk po nënshkruhen kontratat për shfrytëzimin e pronave të Agjencisë Pyjore të Kosovës për instalimin e paneleve solare, duke thënë se investitorët presin prej rreth pesë vitesh.
Mulaj ka theksuar se mbështet prodhimin vendor, por kërkon kontroll të njëjtë, standarde të njëjta dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë.
