Emri Muhamed ka ruajtur pozitën si emri më i popullarizuar për djemtë e lindur në Angli dhe Uells, duke kryesuar renditjen për të tretin vit radhazi.
Sipas të dhënave të vitit 2025, rreth 6 mijë foshnja u pagëzuan me emrin Muhamed, afro 2 mijë më shumë se emri i dytë më i përdorur, Noah. Këta dy emra kryesojnë renditjen që nga viti 2023.
Në vendin e tretë dhe të katërt këtë vit u renditën Leo dhe Luca, duke lënë pas emrat Arthur, Oliver dhe George.
Edhe dy variante të tjera të emrit Muhamed hynë në mesin e 100 emrave më të përdorur. Mohammed u rendit në vendin e 20-të, ndërsa Mohammad në vendin e 55-të, me rreth 2.600 foshnja të tjera që morën këto forma të emrit. Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), e cila përpilon të dhënat, i trajton këto variante si emra të veçantë dhe nuk i bashkon në statistika.
Ndërkohë, për vajzat, Olivia mbeti emri më i popullarizuar, i ndjekur nga Lily, Amelia, Isla dhe Florence.
Emri Muhamed është pjesë e dhjetëshes së emrave më të përdorur për djem që nga viti 2016, ndërsa në mesin e 100 emrave më të zakonshëm ka hyrë që në vitin 1997.
Sipas ONS-së, popullariteti i këtij emri lidhet me disa faktorë, përfshirë rritjen e komunitetit mysliman në Britani. Aktualisht, në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë pothuajse 4 milionë myslimanë, që përbëjnë rreth 6 për qind të popullsisë.
Ekspertët theksojnë se emri Muhamed vazhdon të jetë zgjedhja më e zakonshme në familjet myslimane, veçanërisht tek ato që jetojnë në Britani dhe dëshirojnë të ruajnë lidhjen me trashëgiminë e tyre kulturore. Në të njëjtën kohë, emrat e foshnjave në Mbretërinë e Bashkuar po bëhen gjithnjë e më të larmishëm, me shumë prej emrave më të përdorur që kanë origjinë jashtë Britanisë.
