Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të rivendosin “menjëherë” bllokadën e porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar edhe vendosjen e një tarife prej 20% për të gjitha ngarkesat që kalojnë në këtë korridor strategjik detar.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se SHBA-ja do të marrë rolin e garantueses së sigurisë në Ngushticën e Hormuzit dhe se tarifa synon të mbulojë kostot e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai nuk dha detaje mbi mënyrën se si do të zbatohet kjo masë.
Deklarata e presidentit amerikan vjen në një kohë tensionesh të larta me Iranin. Më herët, ushtria iraniane paralajmëroi se nuk do të lejojë ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se ka përfunduar raundin e fundit të sulmeve ndaj objektivave iraniane, duke i cilësuar ato si përgjigje ndaj sulmeve të Iranit kundër anijeve tregtare në këtë rrugë detare.
Sipas të dhënave të MarineTraffic, trafiku në Ngushticën e Hormuzit mbetet i kufizuar, me vetëm një numër të reduktuar anijesh që po lëvizin aktualisht në zonë.
Nga ana tjetër, Irani pretendon se ka goditur baza ushtarake amerikane në Jordani, Bahrein dhe Kuvajt, si edhe sisteme radarësh në Oman. Bahreini ka akuzuar Teheranin se po vë në shënjestër edhe objektiva civile.
