Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu e ka dekretuar Zejnullah Gashin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Dekreti për emërimin e Kryeprokurorit të ri është nxjerrë të martën, ka njoftuar u.d. e presidentes.
Ajo e ka pritur në takim, në Presidencë, të nominuarin për Kryeprokuror të Shtetit, Zejnullah Gashin. Gjatë takimit, siç ka njoftuar u.d. presidentja, ia ka dorëzuar Gashit dekretin për emërim në pozitën e Kryeprokurorit.
“I urova z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues”, tha u.d. presidentja Haxhiu në një postim në rrjetin social Facebook.
Zejnullah Gashi, ish-Kryeprokuror i Prishtinës, u nominua për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial një ditë më parë, të hënën.
Nominimi i Gashit derivoi nga një proces i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, i nisur muajin e kaluar.
Kryeprokurori i Shtetit ka mandat shtatë-vjeçar.
Postimi i plotë i u.d. presidentes Haxhiu:
Sot prita në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i dorëzova dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes. Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
I urova z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.
Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës.
Pres që Kryeprokurori Gashi, këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri e guxim gjithnjë me përkushtim të lartë ndaj shtetit, qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë.
