Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka deklaruar se nuk e di nëse finalja e Kampionatit Botëror do të jetë ndeshja e fundit e Lionel Messit me fanellën e kombëtares. 39-vjeçari pritet të regjistrojë paraqitjen e tij të 207-të për Argjentinën, në ndeshjen finale kundër Spanjës që do të zhvillohet të dielën në stadiumin MetLife në New York.
Messi, i cili po merr pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, synon të fitojë titullin e dytë si kapiten i skuadrës. Megjithatë, ai ende nuk ka bërë të ditur nëse ka ndërmend të vazhdojë karrierën e tij ndërkombëtare pas këtij turneu. Scaloni theksoi se aftësia e Messit për të befasuar njerëzit e bën të pamundur parashikimin e vendimit të tij.
“Çfarë di unë? Pyesni atë, nuk kam asnjë ide. Ai nuk pushon së na befasuari,” u shpreh Scaloni. Trajneri e përshkroi Messin si futbollistin më të mirë që ka parë bota ndonjëherë, duke shtuar se arritja deri në finale në moshën 39-vjeçare është një arritje e pabesueshme.
Megjithatë, Scaloni vlerëson se ekipi duhet të jetë në formën më të mirë të mundshme për të mposhtur Spanjën, e cila mban titullin e kampionit evropian dhe nuk ka pësuar humbje në 37 ndeshjet e fundit.
Scaloni, i cili ka një marrëdhënie miqësore me trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente, pranoi se është i shqetësuar për forcën e kundërshtarit. Ai shpjegoi se stafi teknik e ka analizuar Spanjën me kujdes dhe se skuadra është përgatitur për këtë finale ashtu siç bën për çdo ndeshje tjetër, me shpresën se gjërat do të shkojnë në favor të tyre.
Burimi: independent.co.uk
