Zyra e F/m Investments në Washington, D.C. ndodhet vetëm pak larg selisë së Federal Reserve. Megjithatë, nën udhëheqjen e re të bankës qendrore, CEO i kësaj firme, Alexander Morris, e ndjen distancën shumë më të madhe. Që nga marrja e postit në maj, kryetari i Fed-it, Kevin Warsh, ka nisur një reformë të komunikimit të bankës, duke ndryshuar mënyrën se si institucioni jep informacione për të ardhmen.
Ky ndryshim ka nxitur reagime te pjesëmarrësit në treg, siç është Morris, strategjitë e të cilit varen nga parashikimi i lëvizjeve të Fed-it për normat e interesit. Për t’u përshtatur, firma e tij publikoi këtë javë “WarshGPT”, një mjet i bazuar në inteligjencë artificiale që analizon rreth 1,800 dokumente dhe transkripte të Warshit.
Sipas një analize të CNBC, deklarata e takimit të qershorit – e para nën udhëheqjen e Warshit – përmbante rreth 130 fjalë, një rënie e ndjeshme krahasuar me mbi 300 fjalë në publikimet e mëparshme. Warsh pranoi se deklarata ishte më e shkurtër dhe më e thjeshtë, duke përjashtuar qëllimisht udhëzimet për të ardhmen. Në konferencën e tij të parë për shtyp pas vendimit, ai i kushtoi 5% të fjalive temave të politikës monetare, krahasuar me 27% që ishte mesatarja nën udhëheqjen e Jerome Powell, sipas të dhënave nga UBS.
Institucionet e tjera financiare po rishqyrtojnë gjithashtu strategjitë e tyre. Elena Amoruso, strategiste në këtë bankë, i përshkroi komentet e tij si “overwhelmingly hawkish” (tejet shtrënguese), të ndikuara nga pikëpamjet e tij për tregun e punës, rritjen ekonomike dhe inflacionin.
Në JPMorgan Asset Management, strategu David Kelly po shqyrton plane rezervë nëse Fed-i ndalon publikimin e të dhënave kyçe. Ndërkohë, Steve Friedman, ish-punonjës i Fed-it të Nju Jorkut, vëren se mungesa e qartësisë mund të jetë një burim përfitimi për investitorët që kanë një kornizë të fortë analitike. Megjithatë, Gary Richardson, profesor në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, paralajmëron se për investitorët e zakonshëm, kuptimi i veprimeve të bankës qendrore do të bëhet shumë më i vështirë.
Burimi: cnbc.com
