Të paktën tetë palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve izraelite në dy lagje rezidenciale të qytetit të Gazës gjatë ditës së shtunë. Burimet mjekësore bënë të ditur se një avion luftarak shkatërroi një apartament në lagjen al-Nasr, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave, ndërsa një sulm tjetër me artileri në lagjen fqinje, al-Zeitoun, la të vdekur tre persona të tjerë.
Ndërtesa u shkatërrua plotësisht, ndërsa një bllok banimi përreth pësoi dëme materiale. Dëshmitarët raportuan se disa banorë të zonës, e cila është e populluar dendur dhe e frekuentuar nga këmbësorët, mbetën të plagosur. Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për viktima të tjera nën rrënoja, me paralajmërimin se numri i të vdekurve mund të rritet.
Këto sulme pasuan zgjerimin e zonave të goditura nga forcat izraelite, të cilat kanë depërtuar përtej të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, kufi ky që forcat izraelite duhej ta mbanin sipas marrëveshjes së brishtë të armëpushimit. Izraeli ka konfirmuar kryerjen e sulmeve nëpër Gaza, ndërsa mediat izraelite raportuan se ushtria tani kontrollon rreth 70 për qind të territorit, një hapësirë dukshëm më e madhe se ajo e parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga fillimi i këtij armëpushimi, të paktën 1,127 palestinezë janë vrarë, përfshirë 260 fëmijë, ndërsa në të njëjtën periudhë kanë humbur jetën pesë ushtarë izraelitë.
Korrespondenti i Al Jazeera-s, Hani Mahmoud, raportoi se ky zgjerim i forcave izraelite po e fragmenton territorin në zona më të vogla dhe të shkëputura. Kjo situatë po e bën shumë të vështirë lëvizjen e palestinezëve nga një vend në tjetrin, duke shkaktuar humbjen e mjeteve të jetesës për banorët e zonave të prekura.
Burimi: aljazeera.com
