Forcat ajrore të Ukrainës njoftuan se gjatë natës së së dielës, Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv me raketa balistike ndaj kryeqytetit, Kijevit. Dëshmitarët në terren kanë raportuar për disa shpërthime, përfshirë ato të shkaktuara nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Një gazetar i agjencisë AFP ka bërë të ditur se një nga shpërthimet ishte aq i fuqishëm saqë aktivizoi alarmet e makinave në qendër të qytetit.
Kryetari i Bashkisë së Kijevit, Vitali Klitschko, përmes një serie postimesh në Telegram, konfirmoi se zjarre kanë shpërthyer në zona të ndryshme të qytetit, si në objekte banimi ashtu edhe në ato jo-rezidenciale. Sipas tij, zjarret janë regjistruar në një konvikt, një bllok banesash dhe një supermarket, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sipas të dhënave të Klitschkos, të paktën shtatë persona kanë mbetur të lënduar nga ky sulm, ku njëri prej tyre është trajtuar në vend. Ndërkohë, administrata ushtarake e qytetit ka njoftuar në Telegram se, sipas informacioneve paraprake, një person ka humbur jetën si pasojë e sulmit.
Ky sulm vjen një ditë pasi Ukraina dërgoi dronë për të goditur depo të tregtisë elektronike në rajonet e Moskës dhe Tambovit, sulm që shkaktoi zjarre të mëdha dhe la të paktën tetë të vdekur.
Aktualisht, Rusia po përdor gjithnjë e më shumë raketa balistike për të shënjestruar Kijevin dhe lokacione të tjera anembanë Ukrainës. Në anën tjetër, autoritetet në Kijev kanë paralajmëruar për zvogëlimin e rezervave të raketave interceptuese, të cilat përdoren për të bllokuar raketat balistike ruse. Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të katërt.
Burimi: dw.com
