Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku ka deklaruar se tash e gjashtë vjet vendi vazhdon të jetë i izoluar dhe me raporte të lënduara me aleatët strategjikë.
Ajo ka thënë se përderisa Kosova po përkeqëson raportet me ndërkombëtarët, sipas saj, Serbia po e thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Marrëveshja e re për Dialogun Strategjik SHBA–Serbi përfshin fusha kyçe të së ardhmes: inteligjencën artificiale, energjinë, gazin e lëngshëm amerikan (LNG), të cilin Albin Kurti e refuzoi me kryeneçësi, si dhe bashkëpunimin në hulumtimet hapësinore.”, ka shkruar Çitaku.
Sikur të mos mjaftonte kjo, sipas saj, vetëm pak ditë pas vizitës në Kosovë i këshilltarit të posaçm të Presidentit Trump, u publikua një raport tejet kritik, që siç ka thënë ajo, dëmton imazhin e vendit.
“Këto nuk janë rastësi. Janë pasojë e një politike që e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit. Dikur Kosova ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike. Sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare.”, ka thënë ajo.
Çitaku ka shtuar se e ardhmja e Kosovës ndërtohet me aleanca të forta, me besueshmëri dhe me koordinim me partnerët tanë strategjikë, e jo sipas saj, me vetëkënaqësi e konfrontim.
“Me këtë mënyrë të qeverisjes, rrezikojmë të mbetemi në periferi. Dhe këtë çmim nuk e paguan një qeveri, por e paguajnë qytetarët dhe e ardhmja e Republikës sonë.”, ka shkruar ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA.
