Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, i ka reaguar deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, pasi kjo e fundit dorëzoi kallëzim penal lidhur me gjendjen në deponinë e Sferkës në Pejë.
Pacolli e akuzoi Bajramin për dezinformim, duke theksuar se deponia nuk është nën menaxhimin e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), por menaxhohet nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti”.
Sipas Pacollit, përgjegjësia për situatën në deponinë e Sferkës i takon menaxhmentit të kompanisë që e administron atë, ndërsa shtoi se Ministria ka ndërmarrë veprime konkrete, përfshirë shqiptimin e një gjobe prej 5 mijë eurosh ndaj KRM “Ambienti” për mosrespektim të standardeve.
Ajo tha gjithashtu se KMDK ka ofruar asistencë teknike, por sipas saj, në terren nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësues të kompanisë menaxhuese.
“KMDK nuk e menaxhon Deponinë e Sferkës. Atë e menaxhojnë njerëzit e Gazit. Shpresoj që Prokuroria ta ndjekë këtë çështje deri në fund, në mënyrë që të zbardhet se kush mban përgjegjësi për këtë katastrofë ekologjike”, ka deklaruar Pacolli.
