Policia e Kosovës njoftoi në raportin 24-orësh të mërkurën për ngjarjen tragjike, ku 24-vjeçarja Rea Raka vdiq në një aksident trafiku në Komoran.
Raporti konstaton për një të vdekur dhe tre të lënduar në vetaksidentin me automjet, i cili ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit të së martës.
“Si pasojë e aksidentit, një femër kosovare ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë një mashkull dhe dy femra kosovare të cilat kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në raport.
Sipas raportit 24-orësh policor, “trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ne Prishtinë për Obduksion”.
Tre të lënduarit u dërguan të martën për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare.
Mes tyre, edhe një vajzë 18-vjeçare, e cila iu nënshtrua një operimi urgjent në Qendrën Emergjente dhe pastaj u transferua për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën Intensive.
Shaqir Uka, shef i Intensivës, tha të martën për Ekonomia Online se gjendja e 18-vjeçares është “relativisht stabile”.
“Pas kryerjes së ekzaminimeve dhe intervenimit, nga Qendra Emergjente është sjellë për trajtim në Mjekimin Intevsiv Qendror, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Si pasojë e aksidentit ajo ka marrë lëndime bukur serioze në anën e majtë të ekstremitetit të lartë dhe të poshtëm si dhe në regjionin e barkut”.
“Gjendja e saj mund të them se është relativisht stabile. Ajo aktualisht po mbahet e fjetur me barëra dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve. Për detaje tjera do t’ju njoftojmë me kohë”, deklaroi Uka.
E rëndë: 24-vjeçarja humb jetën në aksident, ishte vajza e një doktori të QKUK-së
