Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po synon ta përdorë Prokurorinë për qëllime politike dhe populiste, duke e lidhur këtë me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë.
Në emisionin “VV Show”, Kajtazi tha se, sipas tij, kapja e Prokurorisë do të shërbente për të ndërtuar narrativa politike, veçanërisht në raport me komunitetin serb dhe kundërshtarët politikë.
“Fatkeqësia është se me kapjen e Prokurorisë, zoti Kurti po i përdor këta edhe për qëllime politike, populiste, siç është raporti me serbët. Gjoja se këta janë patriotë dhe e luftojnë Serbinë. Në këtë mënyrë, një institucion i pavarur kushtetues të ka ra nën kthetrat e politikës”, deklaroi Kajtazi.
Ai tha se shembulli i parë i kësaj, sipas tij, është vendimi që lidhet me kryeprokurorët serbë.
“Shembulli i parë që po e keqpërdor zoti Kurti është vendimi për kryeprokurorët serbë. Ky është paralajmërimi se si do të keqpërdoret në raport me kundërshtarët politikë dhe të tjerët që nuk i binden atij, si dhe për korrupsionin e tyre që këta provojnë ta mbyllin në tërësi”, u shpreh Kajtazi.
