Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se, sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk do të ndalet nëse nuk përballet me një opozitë më të fuqishme, duke paralajmëruar se ndryshimet ligjore të bëra gjatë qeverisjes së tij do ta vështirësojnë çkapjen e institucioneve edhe në rast të ndërrimit të pushtetit.
Në emisionin VV Show, gjatë debatit me analistin Visar Ymeri, Kajtazi tha se edhe nëse pushteti ndryshon përmes votës, pasojat e ndryshimeve ligjore do të vazhdojnë të ndihen.
“Po nuk u sfidua nga opozita, Kurti nuk do të ndalet, sepse edhe nëse ndryshon diçka me votë, çkapja e shtetit do të jetë e pamundur për shkak të ndryshimeve ligjore që ka bërë Kurti”, u shpreh ai.
Kajtazi përmendi edhe mandatin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke theksuar se ai është shtatëvjeçar.
“Kryeprokurori është me mandat shtatë vjet”, tha ai.
Duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, Kajtazi u shpreh kritik ndaj, sipas tij, diskursit populist në vend.
“Derisa të ketë një mendësi të tillë populiste se ‘na e kemi shliru Kosovën, veriun dhe tash i luftojmë serbët’, nuk do të kemi dialog”, deklaroi Kajtazi.
