Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u ka bërë thirrje kritikëve të tij që të “meditojnë, të luten ose të shikojnë një ndeshje futbolli” në vend që të “përhapin urrejtje dhe thashetheme të rreme” për udhëheqjen e tij dhe Kampionatin Botëror. Në një postim me 15 pjesë në llogarinë e tij personale në Instagram, të shpërndarë edhe për tetë milionë ndjekësit e FIFA-s, ai iu drejtua atyre që qëndrojnë “pas stilolapsave dhe letrave, pas ekraneve”.
Ai e cilësoi si sukses pjesëmarrjen e Iranit, duke pretenduar se FIFA punoi për të bashkuar dy vende në luftë dhe se ekipi iranian hyri në Shtetet e Bashkuara “pa incidente apo konflikte”. Këto komente bien në kundërshtim me deklaratat e trajnerit të Iranit, Amir Ghalenoei, i cili e përshkroi ekipin e tij si “më të shtypurin” në turne për shkak të problemeve logjistike dhe kufizimeve të lëvizjes.
Duke iu përgjigjur kritikave për vështirësitë me vizat, Infantino theksoi se miliona njerëz nga e gjithë bota u pajisën me viza. Ai këmbënguli se në turne pati “zero incidente, zero dhunë”. Megjithatë, FIFA po heton përplasjet mes lojtarëve të Argjentinës dhe Spanjës pas finales, akuzat për abuzim racor ndaj influencuesit IShowSpeed, si dhe arrestimet e tifozëve në ndeshje të ndryshme.
Një tjetër pikë e nxehtë ishte pezullimi i dënimit për lojtarin amerikan Folarin Balogun, pas ndërhyrjes së presidentit Donald Trump. UEFA e cilësoi vendimin si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, ndërsa Federata Norvegjeze e Futbollit po shqyrton mundësinë e një ankese. Ndërkohë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi se nuk do të hetojë Infantinon për neutralitet politik, pasi ankesa e grupit FairSquare bie jashtë juridiksionit të tij.
Burimi: bbc.co.uk
