Të fundit

Implikimi i dyshimtë i Avokaturës Shtetërore kundër NPB-së për projektin afarist

Avokatura Shtetërore është bërë palë në një rast gjyqësor kundër Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB). Ndërmarrja ka akuzuar organin e Ministrisë së Drejtësisë për “tejkalim të kompetencave”. Ministria e Ambientit, e cila e ka ngritur “kauzën”, ka refuzuar të komentojë rastin. 

Një organ publik, i cili funksionin pranë Ministrisë së Drejtësisë, është përfshirë në mënyrë të dyshimtë në një kontest gjyqësor me NPB-në, ndërmarrjen publike komunale në Prishtinë.

Avokatura e Shtetit ka ushtruar padi kundër NPB-së lidhur me projektin e ndërmarrjes për ndërtimin e një objekti shumëkatësh, si bashkë-investim me kompani private.

Padia e Avokaturës Shtetërore mbështet mbi pretendimet e Ministrisë së Ambientit, e cila në fund të vitit të kaluar ngriti dyshime për shkatërrim mjedisor përmes azbestit gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.

Ndërmarrja Publike Banesore, ka akuzuar Avokaturën Shtetërore për “tejkalim të kompetencave” në momentin kur është bërë palë në një proces gjyqësor kundrejt ndërmarrjes publike.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin, NPB-ja tha se përmbajtja e padisë së parashtruar nga Avokatura Shtetërore është e pabazuar në ligj.

“Konsiderojmë se përmbajtja e padisë dhe kërkesëpadisë nuk ka bazë ligjore dhe për më tepër ka tejkalim kompetencash të Avokaturës Shtetërore në raport me Ndërmarrjen Publike Banesore”, thuhet në përgjigjen e NPB-së për Paparacin.

NPB-ja ka bërë të ditur se kontesti mes ndërmarrjes dhe Avokaturës Shtetërore, është në fazën fillestare.

“Tashmë jemi në fazën fillestare të kësaj procedure andaj zhvillimi i këtij procesi varet nga procesi gjyqësor mbi këtë çështje”, tha NPB-ja të mërkurën.

Sipas Ligjit të Veçantë për Avokaturën Shtetërore (ASh), këtij organi të Ministrisë së Drejtësisë pretendohet se i mungojnë kompetencat për ushtrimin e procedurave ligjore si palë në gjykatë.

ASh-ja, sipas kompetencave të bazuara në ligj, është organ i cili përfaqëson, këshillon dhe mbron autoritetet publike në konteste gjyqësore, por nuk ka autorizime për ushtrimin e padive.

“Avokatura shtetërore përfaqëson, jep këshilla dhe mbron autoritetet publike të
Republikës së Kosovës, të përcaktuara me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë,procedurën gjyqësore, të arbitrazhit dhe në procedurën administrative me ligjin”, thuhet në nenin 8, paragrafi 1. i Ligjit.

Ministria e Ambientit, e cila ka vënë në lëvizje Avokaturën Shtetërore përmes një bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e mediumit lidhur me implikimin e ASh-së në rastin e NPB-së.

Megjithatë, projektin e ka komentuar javën e kaluar kryeministri Albin Kurti. Shefi i qeverisë u shpreh se ekzekutivi do të mbrojë interesin publik në rastin e projektit bashkëinventues të NPB-së.

Projekti i NPB-së – flet kryesuesi i Bordit të AKP: Nuk është kryer asnjë shkelje

“Nuk do të këtë zhvillime, të cilat do të vijnë në kundërshtim me ligjin, me kushtetutën dhe interesin publik. Pra, si Qeveri e Republikës së Kosovës ne zotohemi për këtë”, tha kryeministri Kurti, pas një vizite që zhvilloi të mërkurën në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Momentalisht projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë” është i pezulluar.

Vendimin për pezullim e ka nxjerrë Ministria e Ambientit në muajin tetor të vitit të kaluar, pas dyshimeve të ngritura për shkatërrim mjedisor përmes azbestit, gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.

Asbesti është një material që gjendet në pothuajse të gjitha ndërtesat e vjetra në kryeqytet.

Kontrata, përmes Avokaturës Shtetërore, është dërguar me Kallëzim Penal në Prokurori Speciale e cila veten e ka shpallur jo kompetente dhe është iniciuar rast në Gjykatën themelore për të anuluar këtë kontratë.

Deri më tani është mbajtur seanca në gjykatë në lidhje me këtë çështje dhe palët janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci