Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka sqaruar se kategoria e konsumatorëve që konsumojnë deri në 800 kilovatë për orë energji elektrike, do të përfitojnë subvencionim 100 për qind nga fondi i Qeverisë së Kosovës.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se fondi prej 100 milionë eurove i vënë në dispozicion nga Qeveria e Kosovës për energjinë elektrike do të thotë zbritje nga tarifat e reja për të gjithë konsumatorët që konsumojnë deri në 800 kilovatë për orë.
Në një paraqitje para mediave pas mbledhjes së pestë të Bordit të ZRrE-së për këtë vit, Fejzullahu deklaroi se tarifat ekzistuese nuk vlejnë për këtë kategori të konsumatorëve.
“Gjithë konsumatorët që konsumojnë deri në 800 kilovatë, nuk do të kenë rritje apo do të faturohen me tarifat ekzistuese. Do të thotë tarifat e tyre do të kalkulohen me zbritjen e cila ka rezultuar nga fondi i qeverisë prej 100 milionë euro”, tha Fejzullahu, raporton Paparaci.
“Do të faturohen me tarifat ekzistuese, rrjedhimisht nuk do të ketë rritje të faturës për këtë kategori”, vijoi ai.
Sipas Fejzullahut, 70 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë konsumin e 800 kilovatë për orë të konsumit të energjisë elektrike. /Paparaci.com
