Në një njoftim për media, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar në mbledhjen e Kryesisë së FSSHK-së të autorizuar nga Këshilli Drejtues, se ditën e hënë më datë 08.11.2021 do të protestojnë para ndërtesës së qeverisë.
Sipas FSSHK-së arsyeja e kësaj proteste ka të bëjë me sensibilizimin e opinionit dhe udhëheqjes vendore, në raport me gjendjen e rëndë sociale të punonjësve shëndetësorë.
“Kërkesa jonë madhore është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022. Kërkojmë nga Qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike por kërkesë e cila ndikon drejtëpërsëdrejti në përmirësimin e statutsit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësor në veçanti”, theksohet ndër të tjera në njoftim për media.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, po ashtu kërkon që Qeveria të jetë transparente dhe bashkëpunuese me organizatat sindikale në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik.
