Donjeta Miftari, këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e cila nëpërmjet një statusi të gjatë, teksa hodhi kritika ndaj shefes së shtetit, e komplimentoi atë në fund, për dukjen e saj.
Hoxha i përmendi “tri karakteristika të presidentes Osmani” për një vit të mandatit.
“HESHTJA e Presidentes për temat kyçe në Kosovë, për çmimet, për energjinë, për kodin a për shaminë… MANIPULIMI i Presidentes për shifra të qytetarëve që po kërkojnë visa për ta lëshuar Kosovën KURSIMI i parasë publike si lavd e që si pasojë flet për mungesë aktiviteti e vizioni”, vijoi Hoxha në statusin e saj, teksa në përfundim tha se “më shumë e kam dëgjuar duke folur për Ukrainën së fundi sesa tanë vitin për Kosovën”.
“Një gjë duhet ta pranojmë – komplimenta për dukjen”, shtoi ajo.
Për dallim nga Hoxha, Miftari nga Presidenca i listoi disa punë të mira të shefes së shtetit.
Miftari përmendi guximin për t’i vënë pikë të keqes, mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe faktet para lajmeve të rrejshme, si gjëra pozitive të Vjosa Osmanit.
Gjuha e përdorur nga ligjvënësja Hoxha drejtuar komandantes së FSK-së, sipas Miftarit është seksiste dhe njëkohësisht për keqardhje.
“Dhe dy fjalë për seksizimin që gufon në çdo pore të disave që fshihen pas maskës kinse progresive: kur e keni bërë një koment për pamjen e një burri, burri politikan, në veçanti?!”, shkroi ajo.
