Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje mashtruese.
Ajo e ka denoncuar skandalin e punësimeve në KEK dhe ka thënë se kjo tregon se konkursi i hapur në fushatë ka qenë i përgatitur për të iu shërbyer aktivistëve dhe familjarëve të LVV-së.
“Jam këtu që në emër të LDK-së t’ju them se LVV-ja ju ka mashtruar dhe po bënë pesë fishin e secilit veprim që e ka kritikuar për 15 vite sa ishte në opozitë. Ajo çka ndodhi në konkursin e KEK-ut është vazhdimësi e kapjes së institucioneve që nga ditët e para të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Ne dje kemi dorëzuar kallëzim penal dhe shpresojmë që organet e rendit do të reagojnë dhe konkursi do të kthehet në pikën zero”, u shpreh Bajrami.
Deputetja Bajrami u shpreh se pas publikimit të skandalit të punësimeve nga mediat, partia në pushtet po i linçon mediat.
“Po të mos ishin mediat ndoshta nuk do të ishte marrë vesh kurrë. Po i linçoni mediat që e kanë denoncuar rastin Nga të dhënat që janë paraqitur në media, shihet që qytetarët nuk janë punësuar pse kanë qenë qytetarë të Obiliqit por pse kanë qenë militant të LVV-së dhe familjarë të anëtarëve të komisionit vlerësues të KEK-ut”, u shpreh deputetja Bajrami.
Një hulumtim i Paparacit shpërfaqi nepotizmin e aplikuar në baza partiake dhe familjare të një konkursi të KEK-ut, ku kishin aplikuar 4 mijë e 668 persona.
Dhjetëra nga 128 kandidatë të pranuar gjithsej, falë mbështetjes nga funksionarë brenda Korporatës Energjetike të Kosovës dhe nga pushteti i ri, tani gëzojnë vendet e reja të punës. Paparaci iu sjellë dëshmitë që tregojnë se rrugëtimi i kësaj gare, nuk ishte i drejtë e as i pastër.
