Anëtari serb i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, i njohur si një nga politikanët më të padëshiruar të perëndimorëve në Ballkan, e ka quajtur “kryeministër të rrejshëm” Albin Kurtin, kryeministrin e Republikës së Kosovës.
Ai, ka deklaruar se kryeministri ynë Albin Kurti duhet të “ndalojë së destabilizuari Kosovën dhe krejt Ballkani do të jetë më i qetë”.
I pyetur nga agjencia e lajmeve Srna për të komentuar deklaratën e Kurtit që “Republika Srpska është kërcënim për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, Dodik e quajti kryeministrin e Kosovës si “kryeministër të rrejshëm të shtetit të rrejshëm”.
“Ai njihet si person që nuk respekton marrëveshjet dhe destabliziton krahinën jugore të Serbisë sa herë që ka mundësi; tash ai i ka dhënë vetes të drejtën për t’i mbajtur ligjërata rajonit. Meqë ka marrë guximin për të komentuar Republika Srpskan, atëherë do të ishte e mençur të thuhet që Republika Srpska do ta ketë të njëjtin status si Kosova”, tha Dodik.
