Shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov ka dhënë të hënën një intervistë për televizionin shtetëror rus “Rusia 24” në të cilën ka thënë se tani qëndrimi i Rusisë është ndryshuar.
Sipas tij, më nuk do të ketë armëpushim për shkak të negociatave.
Mirëpo, “nën radarë” ka kaluar deklarata e Lavrovit për qëllimet e vërteta të pushtimit të Ukrainës, shkruan portali kroat Index.hr.
Ministri i jashtëm rus ka thënë se sulmi ndaj Ukrainës kishte për qëllim ndërprerjen e rrugës drejt “dominimit të plotë të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore”, transmeton Paparaci.
“Operacioni ynë special ushtarak është projektuar për t’i dhënë fund zgjerimit të pamatur dhe rrugës së pamatur drejt dominimit të plotë të Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të vendeve perëndimore të cilët janë nën SHBA në arenën ndërkombëtare”, ka pretenduar ai, duke shtuar se “dominimi i tillë është ndërtuar mbi shkelje brutale të së drejtës ndërkombëtare”.
Pastaj e përmend edhe Kosovën.
“Në Kosovë është e mundur t’i njihet pavarësia pa referendum, por në Krime, si rezultat i referendumit, i cili u vëzhgua nga qindra përfaqësues objektivë të vendeve të huaja, është e pamundur”, ka pretenduar Lavrov.
Dhe ka vazhduar: “Dhe kur neo-nazistët dhe ultra-radikalët janë në kufijtë tanë, ku po krijohen dhjetëra laboratorë biologjikë të modeluar sipas Pentagonit, ku po kryhen eksperimente që kanë për qëllim kryesisht krijimin e armëve biologjike – janë gjetur dokumente të cilat nuk lënë asnjë dyshim – pra ky kërcënim është në kufijtë tanë, jo përtej oqeanit”./Paparaci
