Me gjashtë muaj burgim me kusht është dënuar Fisnik Visoka, i cili e ka pranuar se më 2019 ka kanosur zyrtarët e Policisë së Kosovës shkaku se nuk ishte punësuar në këtë institucion.
Visoka kishte dërguar një mesazh në adresë të Policisë duke kërkuar vendosjen e emrit të tij në listën e të punësuarve në të kundërtën do të niste hakmarrjen prej drejtorit të atëhershëm të Policisë, Rashit Qalaj e pastaj te të tjerët.
Aktgjykimin e shpalli të enjten gjykatësi Adnan Kamberi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi”
Gjykatësi Kamberi njoftoi se të akuzuarit Visoka nuk do t’i ekzekutohet dënimi më burg, nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej një viti.
Sipas aktgjykimit, Visoka është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro dhe shumën prej 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil. Ndërsa, kundër këtij aktgjykimi lejohet ankesa, në afat prej 15 ditësh.
Në seancën fillestare të mbajtur më 3 nëntor 2021, i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur në tetor të 2019-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Fisnik Visokën se më 3 tetor 2019, duke qenë në një gjendje emocionale dhe atë nga humbja e shpresës për t’u punësuar në Policinë e Kosovës, ku kishte aplikuar dhe e kishte kaluar testin me shkrim, por që kishte rënë në testin fizik, seriozisht kanos Policinë e Kosovës.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se Policinë e Kosovës e kishte kanosur nga telefoni i tij ka dërguar një SMS në ZIMP (zyra për informim dhe media PK-së), në emalin zyrtar të Policisë së Kosovës me këtë përmbajtje “O ja shtinëm edhe mua nqat listë për polic ose keni me pa ju qfarë makabre ka me bë mbi juve ska pa kush hala besoni që shumë i vendost jam nkët që po e them tu ja nis prej drejtorit Qalaj e me rend”.
Ndërkaq, me këtë ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe ankth tek të dëmtuarit në ZIMP, si dhe për këtë arsyeje njësia e hetuesisë e kanë identifikuar shumë shpejtë të akuzuarin Visoka dhe është bërë kontroll dhe bastisje në shtëpinë e të njëjtit, por që nuk është gjetur asgjë.
Për këtë, Fisnik Visoka po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
