Treni që tashmë ka marrë emrin “Treni i Agim Bahtirit” nuk gjendet më në komunën e Mitrovicës, kjo sepse ky tren sot është parë duke u kthyer andej nga ka ardhur, në komunën e Skenderajt.
Ndonëse ky tren qarkullonte çdo ditë nga qendra e qytetit e deri te Liqeni Akumulues, përfundimi i zgjedhjeve bëri që edhe puna e këtij treni të ndalet. Madje që nga ajo kohë “Treni i Agim Bahtirit” ka qenë i parkuar në lagjen “Bair” të Mitrovicës.
“Jepi zë” raporton se ka arritur të sigurojë fotografi nga fshati Broboniq, ku shihet treni duke u kthyer për në Skënderaj.

Kujtojmë se nuk ishte e qartë prej nga kishte ardhur ky tren apo me çfarë procedurash ishte funksionalizuar. Kishte pasur reagime lidhur me paratë që paguanin qytetarët.
Po ashtu, nuk dihej as kush është pronari dhe nga është siguruar leje për qarkullim në qytet. Krejt çka dihej ishte se u soll nga kryetari Agim Bahtiri, pasi ai e kishte premtuar në fushatën e kaluar.
