Ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikë për masakrën e 2 majit 1999 në Studime, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e 23 të kësaj masakre.
Në akademinë përkujtimore për këtë masakër, të hënën, Kurti ka thënë se 116 civilë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e gra, janë vrarë për rreth një orë e gjysmë.
“Krejt kjo ka ndodhur prej orës 20 deri në ora 21 të mbrëmjes. Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por tek i gjithë populli”, ka thënë Kurti në ceremoni.
Ai ka shtuar se një nga dëshmitarët e asaj çfarë ka ndodhur në mbrëmjen e 2 majit, Idriz Popova, ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë mundur. Fshatarët i kanë varrosur për tri ditë trupat e pajetë të të vrarëve.
Kreu i Qeverisë ka kujtuar edhe arrestimin e luftëtarëve të UÇK-së, që edhe tani vazhdojnë të mbahen në burg nga Gjykata Speciale në Hagë, por që për masakrën e Studimes nuk është dënuar askush.
