Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nemanja Staroviq, ka deklaruar sot se Italia, e cila kryeson Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, nuk e ka përfshirë kërkesën e Kosovës për anëtarësim, në draftin e seancës së sotme që mbahet në Torino.
Staroviq tha sot për RTS se kjo nuk do të thotë që kërkesa e Kosovës nuk do të vendoset në rend të ditës me propozimin dhe mbështetjen e vendeve të tjera anëtare.
Duke folur për seancën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Torino, në të cilën po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, Staroviq tha se Serbia do të bëjë “gjithçka që është e mundur” për të mbrojtur interesat e saj.
Ai shtoi se edhe nëse në një moment, edhe sot, Komiteti i KE-së me shumicë dy të tretash e inicon procedurën e anëtarësimit të Kosovës, procesi “është i ndërlikuar dhe zgjat jashtëzakonisht shumë.”
Sipas tij, e gjithë procedura nuk mund të zgjasë më pak se një vit dhe ka shumë të ngjarë që të zgjasë shumë më gjatë sesa një vit.
Komiteti i Ministrave është organi vendimmarrës i Këshillit të Evropës.
