Muaji qershor sjell një pako të re ekonomike përmes së cilës qeveria federale gjermane dëshiron të vendosë masa të ndryshme për të luftuar inflacionin dhe pasojat e luftës në Ukrainë. Prandaj, nga 1 qershori, qeveria do të prezantojë disa masa të cilat do të prekin miliona njerëz në Gjermani, shkruan revista Fenix. Lexoni më poshtë se çfarë i pret të gjithë ata që jetojnë në Gjermani nga 1 qershori:
Biletë 9 euro
Në qershor, korrik dhe gusht të gjithë mund të përdorin transportin lokal dhe rajonal në të gjithë Gjermaninë me një çmim të arsyeshëm prej 9 eurove në muaj. Shitjet e biletave me këtë çmim tashmë kanë filluar në hekurudhën gjermane dhe kompanitë e tjera të transportit. Bileta një-mujore kushton 9 euro.
Biletën mund ta përdorni për një muaj në transportin lokal dhe rajonal në të gjithë Gjermaninë.
Karburanti
Benzina, nafta dhe gazi natyror do të lirohen – të paktën nga qershori deri në gusht. Qeveria federale po redukton taksën e karburanteve. Çmimet në muajt e ardhshëm do të jenë: Një litër benzinë: rreth 35 cent më lirë (30 cent ulje të taksës së energjisë plus 5 cent kursime nga TVSH-ja), një litër naftë: rreth 17 cent më lirë (14 cent ulje e taksës së energjisë plus 3 cent kursime nga TVSH-ja), një megavat orë gaz natyror: 4,54 euro më lirë.
Megjithatë, ka shumë mundësi që pikat e karburantit të vazhdojnë të shesin karburantin me çmimin e vjetër që kanë blerë në muajin e kaluar për ditët e para të qershorit.
Hyrja në Gjermani
Nga 1 qershori, rregullorja për hyrjen në Gjermani do të shfuqizohet përkohësisht. Derisa numri i personave të infektuar me koronavirus vazhdon të bjerë, Ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach thotë se kushtet e hyrjes brenda Gjermanisë do të lehtësohen gjatë verës.
Që nga 1 qershori, ata që kthehen në Gjermani dhe të huajt që hyjnë brenda territorit gjerman nuk do t’iu kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet për COVID-19.
Ngrohje
Nga 1 qershori do të subvencionohet energjia elektrike, sidomos për familjet sociale që përfitojnë banim nga shteti. Ai do të zbatohet deri në fund të majit 2032. Më shumë se 700,000 familje do të përfitojnë nga kjo masë. Gjegjësisht, Bundestagu gjerman ka miratuar një projektligj sipas të cilit, në kushtet e rritjes së shpenzimeve për ngrohje, shfrytëzuesve të përfitimit për banim, ndër të tjera, këtë vit do t’u sigurohet një subvencionim për shpenzimet e ngrohjes.
Pagesa
Edhe mënyra e pagesave në Gjermani pritet të ndryshojë.
Për shembull, në kompaninë gjermane të televizionit kabllor “Sky”, klientët nuk mund të paguajnë më me pagesë direkte nga qershori, por duhet të kryejnë pagesat përmes shërbimeve alternative të transferove të parave si PayPal ose Klarna.
Leje drejtimi nga jashtë
Nëse dëshironi që patenta juaj e vozitjes jashtë BE-së të vlejë edhe në Gjermani, duhet të kaloni një provim teorik dhe praktik – përveç nëse vendi në fjalë ka një marrëveshje me Gjermaninë, si Zvicra, Australia, SHBA ose Kanadaja. Patentat e drejtimit nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda Veriore, Shqipëria, Kosova dhe Moldavia, do të shtohen në këtë listë që nga 1 qershori.
