Kosova dhe Serbia janë shumë afër arritjes së Marrëveshjes për Energjinë në bazë të së cilës edhe qytetarët në veriun e Kosovës më në fund do të fillojnë të paguajnë rrymën e shpenzuar. Lajmin e kumtoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Madje, nga subjekti politik i këtij të fundit, kishin qenë ndër vite të ashpër, veçanërisht për ujdinë që e kishin arritur ish kryeministrat Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në Bruksel.
LVV-ja sa ishte në opozitë kundërshtonte pothuajse çdo proces dhe marrëveshje që arrihej. Ish kryeministrin Isa Mustafa madje e quanin “argat të Serbisë”.
Por, pas 9 viteve, Lëvizja Vetëvendosje thotë se çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe një presje përtej asaj që tashmë është dakorduar nё Bruksel në vitet 2013 dhe 2015.
“Nё emёr tё Kosovёs, negocion vetёm Qeveria e Republikёs sё Kosovёs. Takimi mes KEDS dhe palёs serbe, i organizuar nё Stamboll me 9 qershor, ka patur vetёm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015, vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi, dhe kёtё obligim e ka pёrmbushur”, shkroi Bislimi.
Në një status në Facebook, Bsilimi u shpreh se nuk do ketë asnjë operator shtesë përveç Elektrosever dhe asnjë shёrbim shtesë në fushёn e distribucionit, pёrtej katër shërbimeve të cekura më lart, të dakorduara në vitin 2015 dhe përtej katër komunave në veri të Republikës Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë më 10 shtator të 2015-s e kishte kontestuar Marrëveshjen për Energjinë të nënshkruar me ndërmjetësimin e Brukselit.
Asokohe kryetari i LVV-së, Visar Ymeri kishte kundërshtuar Marrëveshjen Energjetike të arritur në Bruksel.
Ai në një konferencë për media thoshte se ajo marrëveshje është shumë e dëmshme dhe e ndan sistemin energjetik të Kosovës në dysh.
Edhe pas dy vitesh LVV-ja kishte pasur të njëjtin qëndrim. Më 24 tetor të 2018-s, Albulena Haxhiu në konferencë për media thoshte se lejimi i kompanisë “Elektroserver” për të operuar në Kosovë rrezikon ta zhbëjë funksionimin e sistemit energjetik në Kosovë.
“Marrëveshja për Energjinë ku kontestohet pronësia e Republikës së Kosovës sipas kërkesave të Serbisë, mbi resurset dhe rrjetin tonë energjitik. Lejimi i kompanisë serbe “Elektrosever-it” që të operojë brenda territorit të Kosovës ose thënë konkretisht që Serbia do të ketë kontrollin mbi resurset e shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë. Kompanisë serbe “Elektrosever” ia kanë njohur të drejtën e transmisionit të energjisë elektrike që përbën një problem serioz të përmasave sa rrezikon ta zhbëjë fuksionimin e sistemit energjetik të Kosovës”, deklaronte Haxhiu.
Haxhiu shkonte edhe më tej ku deklaronte se ish presidenti Hashim Thaçi nuk ka kredibilitet për ta përfaqësuar Kosovën , kurse tani LVV-ja thirren në po në të njejtën Marrëveshje që dikur e kishin kundërshtuar.
“Thaçi sot në takim me Vuçiqin nuk përfaqëson Kosovën, ai mundet veç veten të përfaqësojë atje. Kosovës i duhet një bilanc. Duhet një pasqyrë e plotë për marrëveshjet nga Energjia te Telekomunikacioni, nga liria e lëvizjes te njohja e diplomave, nga policia e gjyqësia në veri te përfaqësimi diplomatik i ndërsjellë, nga menaxhimi i përbashkët i kufirit e deri te denominimi antikushtetues i Republikës së Kosovës (fusnota)”, kishte thënë Haxhiu.


Ndërkohë, të premten edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Kosova dhe Serbia janë shumë afër arritjes së marrëveshjes për energjinë.
Në Kosovë këto paralajmërime për arritjen e Marrëveshjes për Energjinë kanë nxitur reagim.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj të hënën deklaroi se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të jenë të përfshirë në një sistem unik energjetik dhe t’i respektojnë rregullat e tregut.
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës t’i pajisë konsumatorët me energji elektrike në veri dhe ta bëjë faturimin skadon sot. Afati për zbatimin e këtij vendimi vlen veç deri më 13 qershor. Pas kësaj date, shteti e shkel Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit. Nga kryeministria thonë se janë afër zgjidhjes së këtij problemi, por deri më tani nuk ka ende asgjë zyrtare.
