Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, ka deklaruar sot për RTS-në se “nuk bëhet fjalë se i kujt është nënstacioni i Valaçit, dhe se ai është serb, siç është edhe kompania Elektrosever”. Ai tregoi gjithashtu një letër për të cilën pretendon se është nga Miroslav Lajçaku në të cilën ai shkruan se “Elektrosever do të jetë përgjithmonë i pranishëm në Valaç”.
“Përveç udhërrëfyesit kemi edhe dy dokumente, pra një letër nga Miroslav Lajçaku në të cilën thuhet se Elektrosever do të jetë i përhershëm në Valaç, kjo ishte vija jonë e kuqe. Me këtë shkresë dhe garanci i është njohur statusi operatorit Elektrosever, punëtorët e tij do të jenë përgjithmonë të pranishëm në Valaç, që do të thotë se askush nuk mund të hyjë në Valaç. Askush nuk mund ta marrë Valaçin. Elektrosever është përgjithmonë prezent në Valaç dhe vetëm bashkë me të KOSTT-i dhe KEDS-i si operatorë mund të kenë qasje në Valaç”, ka thënë Petkoviq, transmeton Paparaci.
Sipas fjalëve të tij, kompania serbe Elektrosever do të ofrojë shërbime të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe “energjia elektrike do të mund të dërgohet sërish nga Serbia në veri të Kosovës”.
Sa i përket komenteve në Kosovë se ka borxhe për energjinë elektrike të konsumuar në veri, Petkoviq ka thënë se kur nuk ka detyrim kontraktual, atëherë nuk ka as borxhe./Paparaci
