Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka deklaruar se Rusia me çdo kusht kërkon detabilizimin e Kosovës.
Sipas tij këtë e dëshmojnë trazirat e fundit në veri të Kosovës dhe përfshirja e diplomatëve rusë, siç ishte rasti i ish-punonjësit të UNMIK-ut vite më parë, përfshirja e zyrtarëve rusë dhe bjellorus, gjoja si gazetarë të arrestuar nga Policia e Kosovës, si dhe vizita e ambasadorit rus në Serbi, bërë forcave serbe të grumbulluara në kufi me Kosovën.
Ai këto komente i ka bërë gjatë konferencës vjetore të Kartës së Adriatikut-SHBA, para ministrave të mbrojtjes dhe delegacioneve të tyre, të mbajtur dje në Split.
“Vizioni i Republikës së Kosovës është promovimi i stabilitetit dhe sigurisë, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin, Evropën dhe më gjerë. Kosova është e përkushtuar që të jetë pjesë integrale e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti OKB-së, BE-së, NATO-s dhe OSBE-së. Ne gjithashtu punojmë shumë për të qenë pjesë e nismave rajonale dhe për të promovuar marrëdhënie paqësore fqinjësore në funksion të rritjes së stabilitetit dhe besimit midis vendeve në rajon”, tha ai.
Ministri tha se vetë misioni i Kartës së Adriatikut –SHBA është të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër proceseve integruese në NATO, me qëllimin përfundimtar të rritjes së sigurisë rajonale dhe forcimit të partneritetit ndërfqinjësor.
“Prandaj, ne e vlerësojmë shumë ftesën tuaj në këtë takim dhe në të njëjtën kohë, ju bëjmë thirrje të gjithëve që të shtrini dorën dhe të na lejoni t’i bashkohemi nismës, si anëtar i barabartë. Kosova është e gatshme të marrë role dhe përgjegjësi të reja. Në muajt e fundit, ne kemi treguar përkushtim në disa mënyra. Ne kemi ndihmuar dhe mbështetur operacionin e drejtuar nga NATO për evakuimin e refugjatëve afganë dhe sapo kemi përfunduar bashkë-zbarkimin e parë të trupave të FSK-së në Kuvajt”, shtoi më tej ministri.
Ministri i Mbrojtjes më tej u shpreh se Kosova qëndron e vendosur në rrugën e demokracisë perëndimore dhe deklaron fuqishëm orientimin e saj euroatlantik.
