Meqenëse liderët serbë bënë gabim që nuk iu bashkuan mbrojtjes “pa gjak” kundër sulmit të përgjakshëm luftarak, d.m.th sanksioneve kundër Rusisë dhe në këtë aspekt zgjodhën anën e gabuar për një çështje shumë më të gjerë, e gjithë bota mendoi se ekziston një problem në Serbi, i cili po zgjatë shumë, ka thënë për gazetën serbe Danas, Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian.
“Kjo është arsyeja pse shumica tani po ndjekin me vëmendje sjelljen e shtetit të Serbisë dhe kjo në mënyrë indirekte tërheq vëmendjen për qëndrimin e papranueshëm (të Serbisë) ndaj Kosovës, i cili po vazhdon për shumë vjet”, shpjegon Mandl në një intervistë për Danas.
Mandl është deputeti që ka dorëzuar një amendament në raportin e Vladimir Bilçikut për Serbinë, i cili kërkon që marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit, të bazohet në njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës, e cila shkaktoi shumë reagime negative nga autoritetet serbe. Gjithashtu Mandl është deputet i Partisë Popullore Evropiane (EPP), vjen nga Austria dhe është anëtar i delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Kosovën, transmeton Paparaci.
Parlamenti Evropian kohë më parë ka miratuar një rezolutë për Serbinë, e cila përmban amendamentin që keni paraqitur dhe që ka të bëjë me marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën. Shprehja “njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kosovës” shkaktoi shumë reagime negative në Serbi, pse keni insistuar për të?
Disa pjesë të publikut serb janë ata që insistojnë në një qëndrim që është shumë irracional edhe pas asaj që ndodhi gjatë luftërave, disa njerëz e konsiderojnë këtë qëndrim kërcënues. Kosova është shtet. Republika e Kosovës është shteti më i ri në Evropë që i shërben popullit të saj dhe kërkon rrugën e saj në bashkësinë ndërkombëtare me një qëndrim mbresëlënës, ndërkohë që shumë shpesh është trajtuar në mënyrë të padrejtë. Serbia do të duhet të qëndrojë në anën e botës së lirë, sepse edhe qytetarët e Serbisë meritojnë lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Bota e lirë është nën sulm. Më 1 mars, Parlamenti Evropian votoi me një shumicë dërrmuese një rezolutë që shpreh shqetësim të thellë për sjelljen e Serbisë në lidhje me luftën agresore të nisur nga regjimi i Kremlinit. Krahasuar me zgjedhjet e tjera të gabuara të disa vendimmarrësve serbë, njohja e Republikës së Kosovës do të jetë një çështje e vogël për Serbinë, por një çështje e madhe për vendin më të ri të Evropës, që tregon përkushtim shumë më të madh ndaj vlerave evropiane. Por një grup i vogël vendesh në Evropë dhe në mbarë botën po e lidhin vendimin e tyre për njohje të pavarësisë së Kosovës me vendimin e Serbisë. Nga ana e tyre dhe nga ana e vendit fqinj Serbisë, njohja reciproke do të jetë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, pavarësisht nëse vijnë nga kjo apo ajo kombësi. Para qytetarëve të Serbisë është një e ardhme e ndritur, nëse duan të nisen kësaj rruge, por ku njohja reciproke është hap i detyrueshëm.
Si e shihni rrjedhën aktuale të dialogut ndërmjet “Beogradit dhe Prishtinës” – a jemi afër ndonjë shansi që të arrijmë ndonjë marrëveshje, dhe eventualisht njohje reciproke, që kërkohet në rezolutën e PE?
Unë këtë e quaj dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Për shkak se qytetet nuk flasin me njëri-tjetrin, por flasin shtetet. Do të arrihet njohja reciproke. Kur dialogu Kosovë-Serbi të kontribuojë në këtë qëllim, kuptimi i tij do të realizohet./Paparaci
